Financa Personale

Covid-19 rriti çmimet e ushqimeve në mars

INSTAT ka raportuar sot (të mërkurën) se rritja e çmimeve  të konsumit në muajin mars e ka shpënë inflacionin në 2,1 %. Nivel më i lartë që nuk shihej që prej muajit gusht 2018.

Kurse një vit më parë në të njëjtën periudhë inflacioni ka qenë 1,1%, teksa në muajin shkurt 2020 qe 0,6%.

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin mars  krahasuar me marsin e një viti më parë është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” , pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” , “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” , “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Hotele, kafene dhe restorante”, “Shërbimi arsimor”, etj. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën , pasuar nga “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti”, etj.

INSTAT sqaron se brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 24,3 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 8,2 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3,5 %, “peshk” me 2,6 %, “vajra dhe yndyrna” me 2,5 %, etj.

Kjo përkon me sjelljen konsumatore pas datës 11 mars kur qeveria urdhëroi izolimin në shtëpi për shkak të epidemis që shkaktoi Covid-19 , kur njerëzit të trembur nga një krizë e mundshme e urisë, u furnizuan përtej normales.

Më Shumë