Lajme

Koronavirusi, Ministria e Shëndetësisë akordon fond për shtimin e mjeteve mbrojtëse

Ministria e Shëndetësisë ka akorduar fond për shtimin e mjeteve mbrojtëse në spitale si maska, dezinfektantë, etj.

Ky vendim ka ardhur pas mbledhjes së pasdites së sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, me fokus masat paraprake për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit të ri, ku Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur të rialokojë një fond shtesë prej 1 milion dollarë buxhetit të spitaleve, që do të shkojë për rritjen e stokut aktual të mjeteve të mbrojtjes personale.

Ministria thotë se ky fond shtesë shërben vetëm për qëllimin e sipërpërmendur të rritjes së stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat tona spitalore.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron personelin shëndetësor dhe qytetarët se aktualisht, të gjitha strukturat spitalore, kanë në dispozicion sasinë e nevojshme të mjeteve të mbrojtjes personale, për të përballuar situatën.

Po ashtu, ministria siguron se deri në këto momente, nuk ka raste të konfirmuara të koronavirusit COVID 19 në vendin tonë.

Në njoftimin për mediat, ndër të tjera thuhet se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127, në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë