Lajme

Koronavirusi mban drejtësinë pezull

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur zgjatjen edhe me dy javë të tjera të vendimit për pezullimin e veprimtarive dhe shërbimeve gjyqësore që nuk vlerëson si urgjente. Përmes një njoftimi publik, KLGj thotë se vendimi mbetet në fuqi deri më datë 22 prill.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor i kushton rëndësi parësore sigurisë së publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave. Këto janë kohë të pashembullta për të gjithë botën dhe ne, ashtu si dhe ju, jemi duke punuar për të gjetur rrugën më të mirë për të ecur përpara. Ne mbështesim marrjen e masave të vazhdueshme për mbrojtjen e vendit dhe të gjithë qytetarëve nga përhapja e virusit COVID-19”, thuhet në njoftim.

Sipas vendimit mbetet në dorë të gjyqtarëve që të përcaktojnë se cilat çështje kategorizohen si “të ngutshme” dhe cilat çështje të tjera mund të shtyhen për një periudhë të mëvonshme. Në rastin e parë, gjyqtarët duhet të garantojnë se seanca do të zhvillohet pa praninë e publikut e medias dhe duke respektuar distancën dhe masat e tjera mbrojtëse ndaj Covid-19 në sallën e gjyqit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i lutet publikut dhe përdoruesve të tjerë të gjykatave të mos paraqiten pranë gjykatave, përveç rasteve kur orientohen të bëjnë një gjë të tillë nga një punonjës i gjykatës dhe për një çështje specifike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë