Futboll

Covid-19 godet familjen Guardiola, humb jetën nëna e trajnerit

Pep Guardiola ka marrë një lajm të hidhur sot. Ai ka humbur nënën e tij, e cila ishte infektuar nga koronavirusi dhe nuk ia doli të mbijetojë. Dolores Sala Karrio, nëna e trajnerit spanjoll të Mançester Sitit, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.

Lajmi është dhënë fillimisht nga mediet katalanase dhe më pas ka ardhur edhe një njoftim zyrtar i klubit të Mançester Sitit, që ngushëllonte trajnerin e vet për këtë tragjedi. “Familja e Mançester Sitit njofton me hidhërim vdekjen e nënës së trajnerit Pep Guardiola, Dolores Sala Karrio, që ishte infektuar nga koronavirusi. Ajo ishte 82 vjeç dhe të gjithë pjesëtarët e Mançester Sitit i shprehin trajnerit ngushëllimet e përzemërta në këtë moment të vështirë”, - shkruan klubi anglez në deklaratë.

Spanja është një nga vendet më të goditura në Europë nga pandemia e koronavirusit, ku numri i atyre që kanë humbur jetën është në kuota të larta. Pak ditë më parë, trajneri Pep Guardiola kishte dhuruar 1 milionë euro për spitalin e Barcelonës, ku nëna e tij sot ndërroi jetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë