Motosport

Koronavirusi, Formula 1 vjen në ndihmë me furnizimin me ventilatorë

Ekipet e Formula 1 po përpiqen të bashkëpunojnë me autoritetet shëndetësore dhe qeveritë për të ndihmuar me furnizimin me ventilatorë në këtë situatë të pandemisë së Koronavirusit. Ventilatorët janë një pajisje që përdoret për të ndihmuar në furnizimin me më shumë ajër te pacientët, të cilët kanë vështirësi në frymëmarrje, një nga efektet e simptomave të rënda të Koronavirusit.

Shumica e skuderive të Formulës 1, sipas “BBC”-së janë të gatshme të përdorin pajisjet e tyre inxhinierike për të rritur prodhimin e ventilatorëve. “Qëllimi është të sigurojmë sa më shumë ventilatorë dhe të ndihmojmë sa më shumë në kë situatë. Komuniteti i Formulës 1 është i angazhuar dhe në diskutime me të gjitha palët e interesuara në lidhje me këtë çështje. Do të japim detaje të mëtejshme me kalimin e kohës”, - tha një zëdhënës i një skuderie të Formulës 1.

Teknologjia që aplikojnë ekipet e automobilizmit mund të ndihmojë drejtpërdrejt në rritjen e kapacitetit të prodhimit të ventilatorëve në Angli dhe Itali nga McLaren, Red Bull, Williams, Mercedes dhe Ferrari. Ideja është që të rritet furnizimi i modelit ekzistues të ventilatorëve. Anglia ka nevojë për 20.000 ventilatorë shtesë që të përballojë krizën. Brenda javës së ardhshme pritet të ketë një marrëveshje mes ekipeve të Formulës 1 me autoritetet shëndetësore në lidhje me këtë çështje.

Familja Anjeli në Itali, që kontrollon Ferrarin dhe Fiatin, ka dhuruar 10 milionë euro për të ndihmuar në emergjencën nga Koronavirusi. Po ashtu, ka ndihmuar me blerjen e 150 ventilatorëve shtesë dhe sigurimin e makinerive për të shpërndarë ushqim dhe ilaçe për popullsinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë