Lajme

Koronavirusi do t’i kushtojë turizmit global të paktën 1.2 trilionë dollarë

UNCTAD vlerëson se për çdo 1 milion dollarë të humbur në të ardhurat ndërkombëtare të turizmit, të ardhurat kombëtare të një vendi mund të bien deri në 3 milion dollarë. Efektet në punësim mund të jenë dramatike. Më të prekurat gratë që punojnë në informalitet

Sektori i turizmit në botë mund të humbasë të paktën 1.2 trilionë dollarë, ose 1.5% të Produktit të Brendshëm Bruto global (PBB), pasi që ka qenë bllokuar për gati katër muaj për shkak të pandemisë koronavirus, tha UNCTAD (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin) në një raport të fundit.

Organi i tregtisë dhe i zhvillimit i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se humbja mund të rritet në 2.2 trilionë dollarë ose 2.8% të PBB-së së botës nëse bllokimi i turizmit ndërkombëtar zgjat tetë muaj.

Vlerësimi i humbjeve në skenarin më pesimist për një ndërprerje 12-mujore në turizmin ndërkombëtar do të shkaktojë 3.3 trilionë dollarë humbje ose 4.2% të PBB-së globale.

Turizmi është shtylla kurrizore e ekonomive të shumë vendeve dhe një shpëtim për miliona njerëz në mbarë botën, duke pasur parasysh që është rritur më shumë se trefish në vlerë nga 490 miliardë dollarë në 1.6 trilion dollarë në 20 vitet e fundit. Por COVID-19 e ka shpënë industrinë e turizmit për fundi, duke shkaktuar pasoja të rënda ekonomike në nivel global.

Mbizotërimi i masave të bllokimit në disa vende, kufizimet e udhëtimit, zvogëlimi i të ardhurave të disponueshme të konsumatorëve dhe niveli i ulët i besimit mund të ngadalësojnë ndjeshëm rikuperimin e sektorit. Edhe pse turizmi ka filluar ngadalë në disa vende, ai mbetet pothuajse i bllokuar në shumë kombe.

"Shifrat janë një kujtesë e qartë e diçkaje që ne shpesh duket se harrojmë: rëndësinë ekonomike të sektorit dhe rolin e tij si një shpëtim për miliona njerëz në të gjithë botën," tha drejtoresha e tregtisë ndërkombëtare UNCTAD, Pamela Coke-Hamilton.

"Për shumë vende, si vendet në zhvillim, një kolaps në turizëm nënkupton një kolaps në perspektivat e tyre të zhvillimit. Kjo nuk është diçka që mund ta lejojmë," shtoi ajo.

Vendet në zhvillim mund të pësojnë humbjet më të mëdha të PBB-së si pasojë e krizës së thellë në industrinë e turizmit. Xhamajka dhe Tajlanda dallojnë, duke humbur përkatësisht 11% dhe 9% të PBB-së në skenarin më optimist të vlerësimeve të UNCTAD. Zonat e tjera të turizmit si Kenia, Egjipti dhe Malajzia mund të humbin mbi 3% të PBB-së së tyre.

Por sektori i turizmit në shumë vende të pasura do të ndiejë gjithashtu tkurrje. Destinacionet e njohura europiane dhe të Amerikës së Veriut, përfshirë Francën, Greqinë, Italinë, Portugalinë, Spanjën dhe Shtetet e Bashkuara mund të humbin miliarda dollarë për shkak të rënies dramatike të turizmit ndërkombëtar, sipas parashikimeve të UNCTAD.

Ndikimi në sektorët e tjerë, vendet e punës dhe pagat

Udhëtimi dhe turizmi përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të PBB-së globale dhe më shumë se gjysmën e të ardhurave kombëtare të shumë vendeve.

Humbjet e shkaktuara nga koronavirusi në turizëm kanë një efekt goditës në sektorët e tjerë ekonomikë që furnizojnë mallrat dhe shërbimet që udhëtarët kërkojnë gjatë pushimeve, të tilla si ushqim, pije dhe argëtim.

Prandaj, UNCTAD vlerëson se për çdo 1 milion dollarë të humbur në të ardhurat nga turizmi ndërkombëtar, të ardhurat kombëtare të një vendi mund të bien me 2 deri në 3 milionë dollarë.

Rënia masive e prurjeve turistike ka shkaktuar papunësi në masë në mes të punëtorëve të kualifikuar dhe të pa kualifikuar rrjedhimisht më pak të ardhura ose mungesë totale të tyre.

Vlerësimet e UNCTAD tregojnë se në vendet më të prekura, të tilla si Tajlanda, Xhamajka dhe Kroacia, punësimi për punëtorë të pa kualifikuar mund të ulet me ritme dyshifrore edhe në skenarin më optimist.

Në rastin e pagave për punëtorët e kualifikuar, goditjet mund të shihen në Tajlandë (-12%), Xhamajka (-11%) dhe Kroaci (-9%), në rastin optimist, kurse në skenarin më pessimist parashikohet përgjysmim ose ulje tre-fish e pagave.

Nevojitet mbështetje për rikuperimin

UNCTAD bën thirrje për forcimin e mbrojtjes sociale në vendet e prekura për të parandaluar vështirësitë më të thella ekonomike për njerëzit dhe komunitetet që varen nga turizmi.

Ajo i nxit qeveritë të mbrojnë punëtorët. Kur disa ndërmarrje nuk kanë gjasa të rikuperohen, duhet të projektohen subvencione për të ndihmuar punëtorët të lëvizin në industri të reja.

Qeveritë gjithashtu duhet të ndihmojnë ndërmarrjet e turizmit që përballen me rrezikun e falimentimit, siç janë hotelet dhe linjat ajrore. Një qasje për lehtësim financiar është kredia me interes të ulët ose grante, thuhet në raport.

Për më tepër, UNCTAD i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë hyrjen në fonde për vendet më të goditura.

Efektet mund të jenë veçanërisht negative për gratë, të cilat pritet të preken në mënyrë disproporcionale nga pushimet nga puna në turizëm për shkak të COVID-19, sipas raportit.

Gratë kanë më shumë të ngjarë se burrat të jenë sipërmarrëse në turizëm dhe përbëjnë rreth 54% të punëtorëve në sektorët e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore.

Dhe për shkak se shumë gra në këtë sektor punojnë në mënyrë informale dhe janë me aftësi të ulëta, ato kanë më pak të ngjarë të kenë përfitime të pagave të papunësisë ose paketave të mundshme të mbështetjes.

"Kjo është arsyeja pse gratë janë veçanërisht të goditura në këtë krizë. Dhe kjo është arsyeja pse politikat që ndihmojnë në mbrojtjen e sektorit gjithashtu mbrojnë fuqizimin ekonomik për të cilin shumë prej këtyre grave kanë luftuar prej kohësh", tha zonja Coke-Hamilton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë