Politike

Koronavirusi, Basha: Nuk është koha për propagandë, të flasin mjekët e ekspertët

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha mblodhi grupin e mjekëve dhe të ekspertëve për të biseduar për situatën në shëndetësi dhe për masat që po merr qeveria shqiptare për koronavirusin. Pjesë janë ish deputetët dhe ekspertë të PD me profesion mjekë ose njohës të çështjeve të shëndetësisë, Bardh Spahia, Tritan Shehu, Halim Kosova, Albana Vokshi, Orjola Pampuri, Gazment Koduzi, të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm me mjekët infeksionistë dhe mjekë të tjerë që kanë shprehur edhe publikisht shqetësimin e mos marrjes së masave të duhura nga qeveria.
Në një dalje për median pas këtij takimi, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se PD-ja po monitoron situatën.
Kreu i PD-së, Basha i drejtoi disa mesazhe autoritete shëndetësore dhe qeverisë në lidhje me masat që duhet të merren për të përballuar çdo situatë emergjente, duke i bëri apel shtetit të lërë propagandën, pasi ata që duhet të flasin janë ekspertët.
“Gjatë ditës së sotme kemi pasur disa takime me ekspertët më të rëndësishëm të fushave të sëmundjeve infektive, specialistët të departamentit të shëndetësisë në PD. Kemi ndjekur hap pas hapi zhvillimet në terren. Sot kam për ju disa mesazhe që dua t’i përcjell përmes medias. Sot është koha të flasin mjekët, ekspertët dhe specialistët. Të hartohet plani i detajuar i masave konkrete. T’u vihet në ndihmë të rrezikuarve. Duhet krijuar një regjistër i personave që vijnë nga zonat e infektuara. Nuk është koha për propagandë. Qeveria dhe institucione ka detyrën të veprojnë në mbështetje të tyre”, deklaroi Basha.

Gjithashtu, ai u shpreh se Partia Demokratike do të vijojë monitorimin e situatës, ndërsa theksoi që vendi ka ekspertë për të përballuar çdo vështirësi. Ndërkohë, ai u kërkoi dhe qytetarëve të jenë të kujdesshëm duke mos neglizhuar shenja të shfaqjes së gripit.
“Vendi ynë ka ekspertë shumë të mirë për ta menaxhuar këtë situatë nëse u jepet mbështetja. U bëj thirrje që të mos neglizhoni asnjë shenjë gripi dhe të bashkëpunoni me institucionet shëndetësore. Partia Demokratike do të vijojë të monotorojë situatën. Larg panikut, ndërkohë autoritetet të marrin masa. Partia Demokratike po monitoron situatën në çdo komponent të saj. Ne do bëhemi zëri i ekspertëve dhe mjekëve të fushës që mund ta kenë të vështirë për t`u shprehur në kushtet e propagandës mbi të vërtetën. I kërkoj autoriteteve të informojnë qytetarët në mënyrë të detajuar, transparente dhe të përgjegjshme, për masat që duhet të merren dhe të lënë mjekët, specialistët, të flasin”, theksoi kryedemokrati.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë