Motosport

Koronavirus shkakton ndryshimin e rregullave në Formula 1

Formula 1 do të ndryshojë për tu përshtatur me emergjencën. FIA ka komunikuar një seri ndryshimesh në rregulloren teknike lidhur me spostimin e kalendarit diktuar nga pandemia e Covid-19. Ndër ndryshimet më domethënës është ai mbi numrin e power-unit në dispozicion të ekipeve, që do të zbresë në bazë të numrit të garave që do të zhvillohen (mund të kalojë nga 3 në 2 nëse do të zhvillohen 15 GP). Përveç kësaj, për vitin 2021 është konfirmuar ndalimi i përdorimit të DAS, “timonit të lëvizshëm” i projektuar nga Mercedes.

Vendimi për bllokimin e DAS për sezonin e ardhshëm u mor me qëllim për të kufizuar kostot e zhvillimit, pavarësisht se është zyrtarizuar që korniza e përgjithshme e rregullores teknike do të mbetet e njëjtë me atë të këtij viti. Gjithnjë në optikën e kursimit i është ndaluar skuadrave të zhvillojnë aerodinamikën 2022 (që do të jetë krejt ndryshe) deri në fund të 2020

Për herë të parë, bllokimi i aktiviteteve u është imponuar edhe konstruktorëve të motorëve, që duhet të respektojnë një shutdown prej tre javësh radhazi mes marsit e prillit, ashtu siç ishte vendosur për pjesën aerodinamike. Për të shpejtuar vendimet, u vendos që ndryshimet në kalendarin 2020 nuk duhet të votohen më nga skuadrat. Detyrimi që ekipet të aprovojnë unanimisht çdo ndryshim të mëtejshëm të rregullave për këtë sezon gjithashtu është revokuar. Do të kërkohet vetëm aprovimi i 60% të skuadrave.

Në fund janë modifikimet edhe për provat e fundit të sezonit: një ditë e vetme provash specifike për pilotët e rinj do të organizohen brenda 48 orëve nga raundi i fundit i kampionatit, me skuderitë që mund të nxjerrin në pistë deri në dy makina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë