Vendim i rrallë për një ndeshje futbolli në Spanjë, konkretisht në kategorinë e dytë, ku pjesa e dytë e Rajo Valekano-Albacete nuk është luajtur. Albacete, ku luan edhe sulmuesi i Kombëtares, Rei Manaj, në stol në këtë ndeshje, refuzoi të dilte në fushë në pjesën e dytë, duke protestuar kundër koreve raciste ndaj sulmuesit të saj, ukrainasit Roman Zozulia.
Është një histori politike që ka precedentë të pakëndshëm dhe që këtë herë solli ndërprerjen e ndeshjes. Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur diçka e tillë në Spanjë për shkak të koreve diskriminuese të ardhura nga shkallët e stadiumit. Sulmuesi ukraians nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë për ekstremin e djathtë. Në fillim të 2017-ës, kur u huazua nga Rajo Valekano, tifozët e skuadrës së lagjes më popullore të Madridit, Valekas, protestuan me shumë forcë. Kjo i detyroi drejtuesit e klubit ta kthenin lojtarin mbrapsht te Betisi, ku ai nuk mund të aktivizohej për shkak të rregullores. Zozulia mbeti pa luajtur për disa muaj dhe pastaj u bashkua me Albaceten.
Mbrëmjen e së dielës ai u kthye në Valekas, ku tifozët e Rajos nuk e pritën aspak mirë. “Puto nazi” (naziast i mallkuar) ishin koret e tyre ndaj lojtarit ukrainas. Në minutën e 33-të, arbitri Lopez Toka e ndërpreu ndeshjen për disa minuta, ndërsa spikeri u kërkoi tifozëve t’i ndërprisnin koret e tyre ndaj lojtarit të Albacetes. Gjatë pushimit, me rezultatin 0-0 dhe Albaceten me 10 vetë, për shkak të ndëshkimit me të kuq të Israfilov, drejtuesit e kësaj skuadre vendosën të mos ktheheshin në fushë. Tifozët e Rajos, duke pritur rifillimin e ndeshjes, nisën të këndonin "Ishte shaka, Zozulia ishte shaka". Një ironi që nuk e ndryshoi ambientin dhe pas 40 minutash u mor vendimi zyrtar për ndërprerjen e ndeshjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.