Gazeta i – Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar ankimimin e ish-zvkryeministrit Arben Ahmetaj për kontrollin e bërë nga hetuesit në vilën e partneres së tij në Hamallaj për llogari të hetimeve për aferën e inceneratorëve.
Ahmetaj kishte ankimuar kontrollin nga agjentët e BKH-së me argumentimin se ishte i paligjshëm. Por Apeli i GJKKO e cilësoi të ligjshëm kontrollin.
Gjyqtari Dhimitër Lara, nuk ka pranuar ankimimin e deputetit socialist ndaj vendimit që lejoi kontrollin e banesës së bashkëjetueses së Ahmetajt në Hamallaj të Durrësit.
Ahmetaj kërkoi të cilësohej antikushtetues ky vendim, me pretendimin se për lejimin e kontrollit të banesës së bashkëjetueses së tij, duhej marrë miratim nga Kuvendi.
Me 9 mars, shtëpia e partneres së ish-ministrit të Financave, u kontrollua nga Byroja Kombëtare e Hetimit për llogari të hetimeve për çështjen e inceneratorëve.
Avokatët e Ahmetajt iu drejtuan GJKKO-së, duke pretenduar për paligjshëmri në procedurën e ndjekur gjatë bastisjes në vilën e bashkjetueses së tij, Erjola Hoxha.
Sipas avokatëve kontrollet nuk mund të kryheshin pa autorizimin e Kuvendit pasi Ahmetaj ka imunitet.
Me 24 mars, me urdhër të SPAK, u sekuestruan vilat e bashkëjetueses dhe ish-bashkëshortes së ish-ministrit në Hamallaj dhe Palasë.
Deputeti socialist Arben Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për akuzat e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë, në procedimin e ndarë më vete pas dërgimit në gjyq të dosjeve për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.