Ka ndodhur

Kontroll për makinat e blinduara, shoqërohet në polici Ramazan Rraja

Gazeta Si - Ramazan Rraja, nipi i deputetit të PS-së Rahman Rraja, është ndaluar nga policia në Tiranë, ndërsa lëvizte me automjetin e tij të dyshuar si të blinduar.

Mësohet se Rraja është ndaluar për kontroll dokumentacioni dhe për këtë është shoqëruar në komisariat.

Operacioni është kryer në Qafë Kashar pas dyshimeve se persona të ndryshëm lëviznin me mjete të blindura dhe me armë zjarri.

Babai Ramazan Rrajës, Xhelal Rraja në një prononcim për mediat para drejtorisë së policisë u shpreh se nuk ka dijeni se pse djali i tij është shoqëruar dhe se po pret një përgjigje nga Policia e Shtetit.

Ai pohoi se djali i tij lëviz me një makinë të blinduar, por kjo nuk është arsye që ai të ndalohet. Rraja hodhi akuzat në drejtim të drejtorit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati.

Rraja nuk është një emër i panjohur për policinë. Dyshohet se thuajse një vit më parë, ka dhunuar një grua te QSUT në kryeqytet.

Ai gjithashtu u rikthye në qendër të vëmendjes pas publikimit të një videoje, ku shfaqet në një lokal në Fushë-Krujë me kallashnikov, duke terrorizuar klientët.

Pas publikimit të lajmit, Rraja, nga Dubai mohoi të kishte qenë ai, duke thënë se policia merr ryshfet për të terrorizuar familjen e tij.

Ramazan Rraja është arrestuar në vitin 2020 në Belgjikë në kuadër të operacionit “ATOS”. Së bashku me 6 persona të tjerë, i riu nga Nikla e Fushë Krujës u arrestua pas hetimeve për trafik droge ku u sekuestruan 232 kilogramë kokainë.

Për këtë rast, së bashku, me të u arrestua edhe Fioralb Rraja, kushëri i tij. Por Ramazan Rraja u lirua nga qelia me vendim të gjykatës belge më 27 maj të vitit 2021.

Gjykata në Bruksel vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Emri i 28-vjeçarit del edhe në deklarimet e ish-oficerit të policisë së Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në polici se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, pasi po hetonte Rexhep Rrajën, djalin e deputetit pas denoncimit për dhunë të Xhisiela Malokut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë