Ana e errët

Kontratat e borxheve, asnjëherë të hetuara nga prokuroria. Gjykata: Hetoni edhe punonjësit e shtetit

Nga Gazeta Si - Jo vetëm kreditë, por shqiptarët nga dita në ditë po fundosen në borxhe të përditshme që i marrin nga të njohur, kushërinj dhe të afërm dhe që si garanci pavarësisht marrëdhënies së mirëbesimit lënë prona të luajtshme si automjetet.

Një burim nga policia konfirmoi për Gazetasi.al se gjashtë muajt e fundit vërehet një trend i ri, ai i denoncimeve për konflikte midis personave me lidhje gjinie (gjaku),pas borxheve nuk shlyhen në kohë. Por pavarësisht se deklarohet një trend i ri që prodhon ngjarje banale siç i cilëson policia, kriminale për Gazetasi.al, burimet nuk ishin në gjendje të deklaronin një shifër të përafërt të denoncimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

"Borxhet kërkohen për shpenzime të papritura si fatkeqësitë familjare, apo edhe ceremonitë dhe rastet më ekstreme ato të shërbimeve shëndetësore. Janë zakonisht para që kërkohen pa miratimin e noterit dhe policia informohet kur përplasja shpërthen në grindje dhe në përplasje", thotë një zyrtar rendi sipas të cilit me borxhe quhen edhe ato para që shkruhen me listë. Megjithatë Gazetasi.al u interesua pranë prokurorisë ku dhe konstatohet se grindjet për hua, janë pak ose aspak të hetuara.

Lashë tokën me kontratë

Me S. njihem prej 1995 dhe kemi patur mardhënie parash. Në shkurt të 2007  i dhashë një borxh prej 160 mijë euro  të cilën miku im do ta shlyente deri në ditën e fundit të vitit 2007. Ai më la pronën prej mbi 3 mijë metra katrorë truall në formën e garancisë dhe kjo pronë do të bllokohej si fabrikë në favor nëqoftëse nuk shlyente borxhin.”

Ky denoncim i një shtetasi pranë prokurorisë së kryeqytetit prej vitesh u kthye në një histori ping pongu, pa gjetur në përfundim asnjë përgjegjes.

Dy miqtë u kthyen në kundërshtarë ashtu si dhjetra raste të denoncuara dhe konflikte të lindura nga paratë e pashlyera, midis të njohurish, kushërinjsh madje edhe vëllezërish që në rastin më të lehtë u konfliktuan verbalisht dhe në më ekstremin u përplasën fizikisht.

Edhe në çështjen që u pushua, huadhënësi kujton në denoncim sipas burimeve të Gazetasi.al se i bëri kërkesa huamarrësit për paratë, por ai i është përgjigjur që nuk kishte mundësi.

Më tej borxhliu i ka premtuar tokën siç e kishin vendosur dhe sipas kontratës së huasë i është kërkuar ZVRPP që prona të qëndrojë e bllokuar. Kjo është nënshkruar përpara një notereje e cila ka firmosur me vullnetin e të dyja palëve . Por më pas borxhliu nuk ka hezituar dhe është ankuar pranë autoriteteve duke dhënë alarmin se personi që i dha hua paratë, por edhe noterja dhe punonjës të ZRPP e kishin zhveshur nga e drejta e pronësisë duke falsifikuar dokumentat e duke tjetërsuar truallin.

Por në dosjen që ju tregua Gazetasi.al shpjegohet se si ekspertët konfirmuan se firma për huanë ishte e borxhliut. Një vendim gjyqësor civil thelloi më tej konfliktin midis palëve, në të cilin urdhërohej huamarrësi të shlyente detyrimin që rridhte nga kontrata e huasë me numër rep 964 rep. Por prokurorët këmbëngulin se hetimi provoi që prona nuk është tjetërsuar përmes dokumentave të falsifikuara, por se ai kishte rënë dakord me një kontratë të tillë tek noteri. Megjithatë ky vendim i prokurorisë sipas burimeve shumë të sigurta të Gazetasi.al konsiderohet i paplotë nga dy gjykata që urdhërojnë akuzën të hetojë dhe mos ta mbyllë çështjen.

Urdhërat që jepen nga gjykatat ngrenë këto pikëpyetje për prokurorinë e Tiranës.

“Organi i prokurorisë në rastin konkret nuk ka kryer hetime të plota thotë gjykata.Kallzuesi parashtron se nuk e ka firmosur ndonjëherë kontratën dhe se faqja e dytë është marrë nga dokumenta të tjera noteriale që ai i kishte nënshkruar tek e njëjta notere dhe më pas janë bashkuar në mënyrë mekanike.

Por hijet më të forta gjykata i hedh ndaj zyrës së regjistrimit të pasurive.

"Nga verifikimi i akteve të administruara nuk rezulton të jenë hetuar në lidhje me përmbushjen e detyrës punonjësit e ZVRPP në pasqyrimin në regjistrat përkatës të historikut të regjistrimit të barrës mbi pronën dhe përputhjen e shënimeve në regjistër, me kopjen e kartelave të lëshuara në datat përkatëse sipas aplikimeve të palës."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë