Bota

Konte i prerë: Nëse nuk respektoni masat anti-covid, shkojmë në karantinë!

Kryeministri italian Xhuzepe Konte ka paralajmëruar të martën qytetarët, një ditë pas protestave masive kundër izolimit, duke deklaruar se nëse nuk respektojnë masat anti-Covid, vendi fqinj rrezikon që të shkojë sërish drejt mbylljes.

“Nëse rregullat ndiqen atëherë në dhjetor do të mund të përballemi me një situatë të qetë, por nëse qytetarët do të neglizhojnë masat anti-covid, ne do të gjendemi përballë nevojës për një bllokim të  ri’, u shpreh Konte.

Duke folur për masat shtrënguese të vendosura së fundmi, ai tha se ato janë të nevojshme për të shmangur kolapsin e sistemit shëndetësor. Kreu i qeverisë italiane shtoi se masat e reja u lënë mundësi manovrimi autoriteteve lokale.

“Ne jemi duke punuar për të shmangur një bllokim të përgjithshëm. Për ta bërë këtë duhet të bëjmë zgjedhje të dhimbshme. Nuk ka asnjë masë në këtë moment që të na lejojë të vendosim kurbën nën kontroll. Ne jemi përpjekur të marrim një sërë masash…duke u përpjekur ta shtyjmë bllokimin sa më shumë që të jetë e mundur me një seri të tërë rekomandimesh".

Konte komentoi edhe protestat e mbajtura në dhjetëra qytete italiane kundër kufizimeve të lëvizjes, duke deklaruar se dhuna sjell dhunë dhe nuk ndihmon aspak vendin: “Kjo nuk është Italia që duam”, u shpreh Konte.

Në 24 orët e fundit në Itali janë konfirmuar 21,994 raste të reja dhe 221 humbje jete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë