Financa Personale

Konsumatorët e çuditshëm shqiptarë

Nga Megi Iskurti-Supermarketet dhe dyqanet gëlonin nga njerëzit këtë fillim nëntori, edhe pse ishin ditët e para të javës, periudha kur tipologjia e këtyre dyqaneve frekuentohet më pak në fakt.

“Njerëzit priren të blejnë në ditët e para të javës vetëm kur marrin rrogën, pra kur këto ditë përkojnë me fillimin e muajit, në të kundërt gjatë javëve në vijim bie shumë ritmi i blerjeve dhe qytetarët kanë tendencën për të blerë ndonjë gjë nga fundjava”-tha për Gazetasi.al Arbana Elezi, një kasiere që punon në një supermarket të Tiranës, në lagjen “Ali Demi.”

Ndryshe nga fundi i muajit që ngjan i vaktë e pa humor mes blerësve të paktë, fillimi është gjithmonë intensiv, qytetarë që blejnë rroba, frekuentojnë më shumë baret dhe restorantet dhe furnizojnë shtëpitë e tyre me ushqime, një sjellje konsumatore tipike që në fakt ndodh pothuajse në të gjithë botën, ku nën çfarëdo qielli, njerëzit blejnë më shumë në fillim dhe priren të kursejnë në fund të  muajit.

Në Shqipëri ndryshe nga vendet e tjera të botës, tendenca e shpenzimeve është komplekse pasi për disa produkte blerjet nuk duken shumë intuitive me pasigurinë ekonomike që krijoi situata e Covid-19.

Drejtuesit e disa argjendarive në Tiranë treguan për Gazetasi.al se qytetarët shqiptarë e kanë rritur kërkesën për bizhuteritë me çmime mbi 800 euro ku vitin e kaluar janë shitur 6% më shume bizhuteri se në vitin 2019, një mospërputhje e sjelljes së konsumatorit me krizën e Covid-19 që sipas tyre shpjegohet me faktin se me ndalimin e lëvizjeve jashtë, individët kanë bërë më shumë blerje brenda Shqipërisë.

Mandej, u drejtova drejt një qendre tregtare, aty ku zakonisht çmimet e rrobave janë më të shtrenjta dhe në bisedim me disa nga shitëset nëpër dyqane specifike, mësova që në sytë e tyre sjellja konsumatore shqiptare duket e çuditshme.

“Njerëzit blejnë, blejnë shumë, sidomos në fundjavë mbase ngaqë kanë më shumë kohë dhe vijnë e shohin me nge nëpër dyqane duke qenë se janë pushim. Kategoritë janë sipas sektorëve, amvisat fokusohen tek produktet shtëpiake ndërsa të rinjtë më shumë tek rrobat dhe trendet e kohës.

Është e çuditshme kjo sjellje e tyre, mund të rrinë edhe pa ngrënë por rrobat i blejnë dhe blejnë goxha”-tha për Gazetasi.al Erada Shehu, një shitëse që punonte pranë një dyqani aty.

“Unë zakonisht punoj turn i parë dhe nuk ndodh të vijnë shumë njerëz duke qenë se janë në punë ose janë të angazhuar por kur më ka ndodhur të jem pasdite ose në fundjavë, këtu mbushet plot.

Dhe jo vetëm në dyqanin tonë, por në të gjithë qendrën tregtare.”-shtoi më tej ajo.

Ditët ekuilibrojnë njëra-tjetrën. Kur nuk ka një ditë, dynden një ditë tjetër, kështu e tregojnë situatën edhe tek tregu “Dinamo”, shitësit e frutave dhe perimeve.

“Qytetarët blejnë orar e pa orar, të paktën këtu tek ne. Përveç ditës së dielë që është ditë pazari dhe ne e dimë që do kemi më shumë blerje, ditët e tjera asnjëra nuk i ngjan tjetrës.

Ka ditë që mbushet plot dhe ne shesim nga të gjitha llojet, ka dhe ditë që blerësit janë shumë të paktë. Herë ankohen për çmimet e herë u duken lirë, nuk merresh vesh me disa prej tyre.

Por përgjithësisht, në tërësi, këtu tek ne është tipike që njerëzit të bëjnë blerjet më të mëdha ose në fundjavë, ose nëpër raste festash.”-tha për Gazetasi.al Viktor Kondatçiu, një tregtar që ka do vite që punon aty.

Për shitësit e vegjël që shesin në kioska apo në dyqane më të vogla familjare,sjellja konsumatore është pak a shumë e njëjta gjatë javës.

“Njerëzit blejnë më shumë gjatë javës se në fundjavë, kuptohet që blejnë gjëra më të vogla që iu duhen në përditshmëri ndërsa shpenzimet e mëdha i bëjnë nëpër supermarkete.

Orari ku ne kemi më shumë punë është zakonisht paradreka ose pasditja.

Vijnë dhe blejnë amvisat që duan të gatuajnë ndonjë gjë për shpejt ose qytetarë të tjerë në orën kur kthehen nga puna.”-tregon Arbeni që shet tek rruga “Lidhja e Prizrenit.”

Edhe shitës të tjerë me pakicë në lagje pohojnë thuajse të njëjtën gjë, punën e kanë ndjeshëm më të vakët në fundjavë dhe thuajse në të njëjtat ritme gjatë javës.

Ata tregojnë se për dyqanet e tyre, kjo është sjellja tipike konsumatore e qytetarëve që i shoqëron, blejnë produkte që u duhen për konsum të shpejtë vetëm gjatë javës ndërsa në fundjavë e kanë fokusin në supermarkete.

Ekonomia shqiptare ka një varësi të lartë nga biznesi i bareve edhe restoranteve, që në fakt sipas vëzhgimit dhe shifrave bëjnë përjashtim nga të gjithë bizneset e tjera dhe janë të mbushura çdo ditë të vitit, në çdo orar.

“Nëse ka një gjë për të cilën shqiptarët shquhen, është qëndrimi i madh nëpër kafene dhe kjo ne që kemi biznes, na leverdis shumë”-thotë duke buzëqeshur Bela Kulla, teksa shton për Gazetasi.al se në kafenenë e saj, konsum ka çdo ditë.

“Të them të drejtën nuk vërejmë shumë diferencë nga dita në ditë ose nga javë në javë. Në mos uljes këtu, e marrin kafenë me vete.

Paradite ose pasdite, ka gjithmonë njerëz që vijnë edhe ulen. Diferencë mund të vërejmë tani që kanë ardhur studentët dhe është shtuar puna, por në lidhje me konsumin e përditshëm, puna ka gjithmonë.”

Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2019, në Shqipëri kishte rreth 16 mijë barë e restoranteve (4 mijë restorante dhe 12 mijë bare), të cilat përbëjnë rreth 15.4% të subjekteve private në Shqipëri.

Në total, në bare dhe restorante janë të punësuar rreth 45 mijë persona në 2019-n, sipas INSTAT, gati 10% e totalit të të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor.

Sipas INSTAT, në krahasim me 5 apo 6 vjet më parë, shpenzimet për kafene e restorante janë dyfishuar, ndryshe nga vendet e tjera të Europës ku biznesi i bareve e restoranteve ka një peshë më të ulët në ekonomi.

Në njërën nga tavolinat tek “Mulliri”, një kafene pranë Stacionit të Trenit, takova një grup studentësh, shumë prej të cilëve zakonisht has aty. Ata treguan se ose paraditë ose pasdite uleshin në kafene,përjashtuar rastet kur kishin kohë të lirë dhe mund të uleshin  dy-tre herë brenda një dite.

“Kur kemi mësim që e kemi të zënë njërën pjesë të ditës, pjesën tjetër ulemi në kafene.

Nuk kalon kurrë një ditë që të paktën ne nga grupi jonë, nuk ulemi. Si të gjithë konsumatorët shqiptarë edhe ne kafenete i frekunetojmë pa shkëputje”-tha Kiara, njëra nga vajzat që studionte pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore.

Sipas të dhënave të INSTAT, në konsumin e shqiptarëve shënuan rënie vetëm pijet alkoolike dhe birrat e importit, për shkak të moslejimit të dasmave, festave dhe nga mbyllja e klubeve të natës por tani me rihapjen graduale të tyre, edhe konsumi po rritet.

Një tregues tjetër jo indirekt lidhur me produkte specifike por që tregojnë shumë për sjelljen e konsumatorit shqiptar janë edhe taksitë, ku ndryshe nga supermarketet apo dyqanet fluksin më të madh të punës e kanë gjatë javës dhe jo në fundjavë.

“Te ne puna është me hope por përgjithësisht kemi më shumë punë në ditët e mesit të javës sepse në fundjavë dalin jashtë Tiranës dhe zakonisht lëvizin me makinat e tyre.

Sigurisht që në punën tonë ndikojnë edhe faktorë të tjerë siç janë përshembull kushtet atmosferike. Si në ditët kur është shumë nxehtë, ashtu edhe në ditët kur bie shi apo është ftohtë ne kemi më shumë punë”-tregoi për Gazetasi.al Ardian Caku, teksa po më përcillte rrugës për shtëpi.

Në vetëm një ditë vëzhgim arrin të kuptosh sjelljen e luhatur të konsumatorit shqiptar, shpeshherë edhe mes kontrasteve në dyqane dhe supermarkete ku blejnë më pak fruta dhe shpenzojnë më shumë në kafe dhe bizhuteri. Në ditë që ekuilibrojnë njëra-tjetrën ku java ngjall boshllëqe dhe fundjava është plot,e ndonjëherë e anasjella.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë