Biznes

Konkurrenca, LG Electronics & Lufthansa Technik AG në një sipërmarrje të përbashkët

Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar krijimin e ndërmarrjes së përbashkët (joint ventures) mes LG Electronics dhe Lufthansa Technik AG.

Konkurrenca bën me dije se pranë zyrave të saj është depozituar dokumentacioni përkatës në lidhje me përqendrimin e realizuar mes LG Electronics Inc. dhe Lufthansa Technik AG, nëpërmjet themelimit të një sipërmarrje të përbashkët (joint venture) me funksione të plota dhe kontroll të përbashkët.

LG Electronics Inc., është një shoqëri e themeluar sipas legjislacionit në fuqi të shtetit të Koresë, me objekt prodhimin dhe shitjen e aparaturave dhe pajisjeve elektronike, pajisjeve të komunikimit, pajisjeve elektrike, biznese të minierave, import-eksportit, faktoringut, leasing i aparaturave dhe pajisjeve elektronike dhe elektrike, shërbime të instalimit të rrjetit të internetit, të instalimit të elektricitetit, prodhimi dhe shitja e kamerave dhe pajisjeve optike etj .

LG Electronics Inc. është pjesë e grupit LG, një nga liderit botërorë të prodhimit dhe inovacionit të teknologjisë për pajisjet elektronike të konsumit. LG Electronics Inc., nuk është aktive në Shqipëri.

Kurse Lufthansa Technik AG është një shoqëri e themeluar sipas ligjeve të shtetit gjerman, për kryerjen dhe marketingun e shërbimeve të inxhinierisë të aviacionit dhe të gjitha shërbimeve në lidhje me to, veçanërisht mirëmbajtjen, riparimin dhe rregullimin e pajisjeve aeronautike si dhe shërbimeve të logjistikës, inxhinierisë, kërkimit dhe zhvillimit dhe shërbimet ndihmëse të lidhura për linjën ajrore dhe pronarëve të tjerë të avionëve.

Lufthansa Technik AG është pjesë e grupit Lufthansa, një nga shoqëritë më të mëdha të ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes, ndreqjes dhe rishikimit për avionë, makineri dhe pjesë përbërës si dhe një zhvillues dhe prodhues i sistemeve të kabinës. Lufthansa Technik AG nuk është aktive në Shqipëri.

Sipas marrëveshjes do të krijohen Sipërmarrjet e Përbashkëta (SP):
SP-A, shoqëri e cila do të fokusohet në sistemet e menaxhimit të mjeteve fluturuese dhe të kabinave; SP-P, shoqëri e cila do të fokusohet kryesisht në sistemet e argëtimit të pasagjerëve gjatë fluturimit dhe te sistemet e lidhura me monitor.

Ortakët themelues të SP-A dhe SP-P do të jenë Lufthansa Technik AG, i cili do të nënshkruajë dhe pas regjistrimit do të mbajë 51% të kapitalit të regjistruar të SP -A dhe SP –P; dhe LG Electronics Inc., i cili do të nënshkruajë dhe pas regjistrimit do të mbajë 49% të kapitalit të regjistruar të SP-A dhe SP-P.

SP-S, shoqëri e cila do të zotërohet bashkërisht dhe më masë të njëjtë nga SP-A dhe SPP dhe do të jetë përgjegjëse për shitjen, marketingun dhe shërbimet e konsumatorit të nivelit të parë për produktet dhe shërbimet e SP-A SP- P.

Konkurrenca ka vlerësuar se palët në transaksion plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligjin “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar dhe si rrjedhojë, sqaron Autoriteti, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Duke marrë në konsideratë natyrën e transaksionit e praktikat e Komisionit Evropian në çështje të ngjashme, tregu përkatës i produktit për Autoritetin e Konkurrencës mund të lihet i hapur. Treg përkatës gjeografik u konsiderua territori i Republikës së Shqipërisë.
Transaksioni i njoftuar është krijimi i një sipërmarrje të përbashkët (joint-venture) me funksione të plota dhe kontroll të përbashkët nga LG Electronics Inc. dhe Lufthansa Technic AG.

Lufthansa Technik AG dhe LG Electronics Inc nuk janë konkurrentë në të njëjtin treg dhe nuk operojnë as në nivele të ndryshme të zinxhirit të produktit. Ky transaksion është një përqendrim konglomerat ku veprimtaritë ekonomike ose produktet e ndërmarrjeve pjesëmarrëse janë plotësuese të njëra-tjetrës.

Shoqëritë Lufthansa Technik AG dhe LG Electronics Inc nuk janë aktive në Shqipëri dhe sipërmarrjet e Përbashkëta nuk priten të kryejnë aktivitet në Shqipëri.
Nisur nga sa më sipër, transaksioni i synuar nuk do të sjellë asnjë ndryshim në tregun shqiptar.

Shoqëritë e kanë anonçuar lajmin e bashkëpunimit në 2018-ën dhe do të veprojnë në Hamburg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë