Politike

Kongresi/ Rekuiem në PS – Me kë do të qeverisë Rama?

Nga Gazeta 'Si' - Partia Socialiste mbajti sot Kongresin e saj jashtë radhe, pasi pritej një riorganizim i thellë të strukturës organizative, pas shkarkimit në bllok të sekretariatit që në shtator.

Në fillim, ai ishte lajmëruar të mbahej më 4 nëntor, por u shty me justifikimin zyrtar të angazhimit të deputetëve në diskutimet mbi projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Në përgjithësi, selia rozë i ka mbajtur aktivitete të tilla të mëdha në fundjavë, sepse është pushim për administratën. Por këtë herë duket se është zgjedhur enkas një festë kombëtare që bart një simbolikë të veçantë: Dita e Lëvizjes Studentore, që 33 vite më parë solli shembjen e komunizmit dhe rikthimin e pluralizmit demokratik në vend.

Dikur kjo festë kremtohej me shumë reklamim nga rivalët politikë të Partisë Demokratike, që sot janë më të përçarë se kurrë më parë. Ishte vetë kryeministri i atëhershëm Sali Berisha që e shpalli këtë ditë festë kombëtare, akt që nuk u ndryshua nga socialistët.

Sali Berisha në sheshin 'Demokracia', 8 dhjetor 2021

Shtyrja e Kongresit u njoftua nga Edi Rama më 30 tetor, ndërsa 10 ditë më vonë ish-kryeministri Sali Berisha, drejtues i lëvizjes së Rithemelimit në Partinë Demokratike, kërkoi thirrjen me 2 dhjetor po në Pallatin e Kongreseve të Kuvendit Kombëtar të asaj pjesë të demokratëve që e mbështet, ku u rikonfirmua pa shumë kontestime nga afro 1 mijë delegatë.

Nga ana tjetër Edi Rama nuk ka aspak shqetësim rikonfirmimin e tij në postin e kreut të PS.

Në vitin 2016, deputeti i atëhershëm i PS Ben Blushi, shpalli kandidaturën për kryetar partie, duke kërkuar zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin, të cilat nuk ishin zhvilluar që nga viti 2009.

Por në vend që të organizonte zgjedhjet, Edi Rama vendosi një standard tjetër: kryetari i partisë vazhdon të shërbejë në krye të partisë pa pasur nevojë për t’u zgjedhur, për aq kohë sa ai është kryeministër. Këtë standard, ai e imponoi përmes një referendum në të cilin anëtarët e partisë u pyetën: “Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe Kryetari i saj është i zgjedhur kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandate i kryetarit?” 95 për qind e anëtarëve të PS-së votuan pro, duke zhdukur kështu çdo lloj gare për kreun e partisë, kur ajo është në pushtet.

Referendumi u mbajt me shpejtësi. Deputetët Ben Blushi e Mimoza Hafizi e akuzuan Ramën për manipulim të votimeve të referendumit dhe kërkuan hapjen e kutive të votimit, por asgjë nuk ndryshoi. Që nga ajo kohë posti i Edi Ramës në Partinë Socialiste është i padiskutueshëm, qoftë edhe sa për fasadë.

Në këto kushte, mbledhja e forumeve të mëdha si Asambleja Kombëtare apo Kongresi, është shndërruar në një platformë ku kryhet një bilanc i punës, ku shpalosen kritikat por edhe vizionet e Ramës për të ardhmen e qeverisjes. Por ku mungojnë debatet apo përplasjet verbale brenda apo jashtë sallës ku zhvillohen punimet.

Diçka që e kemi parë rëndom në të shkuarën në forumet partiake të PS së drejtuar nga Fatos Nano, apo edhe në vitet e para të lidershipit të Ramës, ku gjallonin ende elementë fraksionistë apo qëndrestarë, mbështetës të ish-kryetarit dhe të një skenarit të mundshëm të rikthimit të tij në krye të selisë rozë.

Kjo e fundit nuk ndodhi asnjëherë, dhe arsyet për këtë janë të shumta. Së pari Rama u tregua mjaftueshëm i zgjuar, pasi mbajti në bërthamën e PS së re disa nga figurat kyçe dhe me popullore si Gramoz Ruçi apo Pandeli Majko. Së dyti, loja tipike e Nanos me diversione dhe gjysmë-akuza që nuk i çonte asnjëherë deri në fund, siç ndodhi në dhjetorin e 2001-shit në KPD-në e famshme, e kishin humbur forcën e tyre dhe në elektoratin socialist u lexuan si sulme për interesa vetjake që po çonin ujë në “mullirin” e Berishës.

Kryeministri Edi Rama në 31 vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në krah të Gramoz Ruçit

Së treti, Nano tregoi sërish se nuk kishte më nerva të merrej me organizim lëvizjesh kapilare për të arritur një rikthim të bujshëm. Së fundmi, pas dështimit të zgjedhjes president në vitin 2007, mund të ketë llogaritur me zgjuarsi se mbyllja e karrierës si politikan aktiv, do t’i kursente përndjekjen e mëvonshme nga drejtësia. Aq me tepër kur në këmbim të diversioneve që e përçanë PS në 2-3 vitet e para, pas disfatës së vitit 2005, rivali i tij më i madh politik, Sali Berisha, që në fushatë kishte premtuar arrestimin dhe burgosjen e tij për të dytën herë, i kishte harruar të gjitha akuzat për korrupsion të shfrenuar dhe kapje të shtetit.

Fati i ish-kryetarit legjendar që vitet e fundit duket se ka arritur të ‘ëmbëlsojë’ komunikimin dhe bëjë paqe me pasardhësin (gjykuar nga vlerësimet e ndërsjellta publike të të dyve), por edhe të shumë figurave që ndër vite e kanë sfiduar, kush më shumë e kush pak, e ka vendosur Edi Ramën në një pozicion shumë komod.

Nga ana tjetër, vitet e fundit ka pasur disa zhvillime pozitive, produkt i reformës në drejtësi, ku SPAK ka paditur dhe gjykata ka dënuar jo pak zyrtarë dhe ish-zyrtarë për abuzim me detyrën dhe korrupsion. Steka e asaj që quhet ‘drejtësia e re’, ka arritur deri tek ish-kryeministri Sali Berisha nga e djathta dhe ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj nga e majta.

Goditjet e muajve të fundit, kanë krijuar një atmosferë të tensionuar në politikë, në raport me të cilën të paktën në dukje, Edi Rama shfaqet më i qetë. Në të gjitha daljet apo edhe forumet e mëdha politike, ai është shprehur i keq-ardhur për bashkëpunëtorët e tij të vënë nën hetim apo që kanë përfunduar në pranga, ndërsa ka paralajmëruar se të njëjtin fat mund të kenë edhe të tjerët që kanë kryer shkelje të ngjashme.

Ai ka nënvizuar jo pak herë se reforma në drejtësi, është vërtet një investim i madh kryesisht i Shteteve të Bashkuara, por kjo ndodhi në kohën e qeverisjes së tij, pikërisht si rezultat i vullnetit të Partisë Socialiste. Megjithatë ritmi fatmirësisht frenetik i SPAK kohët e fundit, po njollos me shpejtësi figurat kryesore të PS, më së fundmi të ish-Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, që ndiqet në gjendje të lirë për abuzime të mëdha me koncesionit e sterilizimit.

Dhe nëse vazhdohet kështu, mund të ndodhë që në qeveri dhe në forumet drejtuese të shohim një sërë fytyrash të reja, që për shkak të mungesës së 'stazhit' politik në parti, do t’u ngjajnë më shumë figurave me profil teknicieni, të shkolluar apo specializuar në Perëndim, por të papërvojë dhe të pamësuar sesi të lundrojnë në ‘ujërat e trazuara’ të burokracisë dhe politikës partiake.

Me gjasë simbolika e Ditës së Rinisë, do të përdoret nga Edi Rama për të detajuar planin e tij të përmendur në asambletë e zhvilluara javët e fundit nëpër degët e PS e rretheve, të rihapjes së PS për të garantuar ‘gjak’ të ri për partinë për konsolidimin e terrenit për të marrë mandatin e katërt në zgjedhjet e 2025-ës, dhe për të shkuar më pas drejt fundit të kësaj dekade, drejt të famshmit 2030, kur edhe është përcaktuar jo rastësisht vija e binishit të këtij vizioni.

Nëpër korridoret diplomatike, por edhe zyrtarisht nga presidenti i KE Charles Michel, është përmendur data 2030 për anëtarësimin e mundshëm të vendeve që janë më përpara me procesin e integrimit:Serbisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Edhe pse është fakti që tejkalimi i ngërçit të viteve të fundit, i detyrohet më shumë ndryshimit të dinamikave gjeopolitike ndërkombëtare, dhe sidomos luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Por loja që zhvillohet nuk është një “One Man Show”. Pavarësisht mungesës së artikulimit në publik, brenda selisë rozë ekzistojnë tashmë 2 rryma, ku njëra kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja tani, duke përfituar maksimalisht nga përçarja ekstreme e opozitës.

Ndërsa grupimi tjetër kërkon më shumë kujdes, pasi ky skenar mund të bartë shumë të panjohura, dhe mund të rezultojë një ‘kërcim në errësirë’ për socialistët, pavarësisht imazhit që gëzojnë ata për cilësinë e organizimit dhe për informacionet e përditësuara mbi elektoratin që marrin nga sondazhet e brendshme që zhvillon periodikisht.    

Por nga ana tjetër, ndërkombëtarët janë jo pak të shqetësuar me atë që po ndodh në gjirin e opozitës. Sali Berisha dhe Ilir Meta mund të jenë shumë të diskretituar në sytë e shumicës së shqiptarëve, por kreu i PD zyrtare Lulzim Basha, po shfaqet ende apatik dhe i përgjumur në aksionin e tij politik.

Forca e tij politike është ende më shumë një parti e ‘vulës’ sesa e ‘terrenit’ dhe ‘bazës’. Kancelaritë perëndimore duket se nuk duan të çimentojnë më tej pushtetin tejet të plot fuqishëm të Edi Ramës, por të forcojnë krahun pro-perëndimor në opozitë.

Për këtë arsye janë shtuar zërat për skenarin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, ku PS do të mbante sërish shumicën por jo absolute, dhe do të bashkë-qeveriste për disa vite me PD e Lulzim Bashës, e cila mund të fuqizohet deri diku për ta dobësuar fraksionin refraktar të Berishës.  

Kjo lëvizje mund të imponohet nëse SPAK godet në grup 5 ose 6 ministra të kabinetit aktual, akt që do të sillte logjikisht rrëzimin e kabinetit aktual. Shenjat e këtij bashkëpunimi mund të jepen nga vetë Rama në fjalimin që do të mbajë në fund të punimeve, kur mund edhe të njoftojë ndryshime të reja në qeveri, të cilat mund të shoqërohen më pas ndoshta me ftesa konkrete ndaj figurave të moderuara të së djathtës, që janë publikisht të distancuar nga Lëvizja e Rithemelimit e Sali Berishës, siç ka ndodhur edhe me parë.

Edi Rama këto kohë po flet për vizione afatgjata. Megjithatë në politikë 7 vite janë shumë. Në Shqipëri, Ballkan, Evropë dhe SHBA mund të ndodhin shumë gjëra, ndaj nuk është e sigurt të thuhet me shumë siguri se Rama ka ‘lejen’ e plotë të Uashingtonit për të qeverisur deri në 2030-n.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë