Qeveria është e vetëdijshme se periudha tranzitore në sistemin e drejtësisë ka zgjatur më shumë se duhej. Këtë e deklaroi vetë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë një konference për median, duke theksuar se pret rezultate për vitin 2020 nga reformat e nisura.
“Sa i përket reformës në drejtësi mendoj qe periudha tranzitore ka zgjatur më tepër se ç’duhet. Ky vit ka shënuar dy rezultate të rëndësishme SPAK dhe zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm. Jam betuar që në ditën e parë të reformës që pavarësia e drejtësisë është e shenjtë. Ministria e Drejtësisë ka detyrimin të monitorojë procesin e reformës. Gjatë 2020 do nisin takimet institucionale bashkë me BE, për të realizuar koordinimin e institucioneve të reja të drejtësisë”, tha Gjonaj.
Sa i përket ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë që dalin nga reforma në drejtësi, Gjonaj bëri të qartë se pret që gjatë vitit 2020 të jetë në funksion edhe Gjykata e Lartë.
“Ka ende punë, presim ngritjen e Gjykatës së Lartë, ky proces është vonuar pak edhe për shkak të kompleksitetit dhe kontrollit të kandidatëve. Fillimi i 2020 do na gjejë me Gjykatë të Lartë dhe kjo do ulë stokun. Lidhur me SPAK, periudha tranzitore ka vështirësitë e veta, por besoj si prokuroi i përgjithshëm dhe kreu i SPAK po marrin masa sa i takon transferimit të dosjeve në kohë” theksoi ministrja.
Gjonaj tha se në 2020 do të lancohet fushata e zgjidhjes së çështjeve me ndërmjetësim, për të ulur fluksin e dosjeve civile në gjykata.
Sa i takon Gjykatës Kushtetuese, Gjonaj deklaron se beson se shumë shpejt Parlamenti do t’i çojë Komisionit të Venecias pyetjet, duke shpresuar që kjo gjë të zgjidhet sa më shpejt në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale. Ministrja e Drejtesise tha gjithashtu se shteti është në përfundim të marrëveshjes së ekstradimit me SHBA-të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.