Ngjarje

Konflikt me armë zjarri mes anëtarëve të PD në Laç, autori kërkoi të shtonte votues për primaret

Gazeta Si - Një debat gjatë mbledhjes së Partisë Demokratike në Kurbin, ka degraduar deri në përdorimin e armës mbrëmjen e të hënës.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 17:30, ku pas një konflikti mes nënkryetarit të PD, Kastriot Marku dhe kandidatit për primare të Kurbinit, Van Rica situata ka precipituar.

Ka qenë pikërisht 53-vjeçari Rica, i cili ka qëlluar me armë zjarri në korridoret e degës së PD në Laç, dhe më pas është larguar. Pas disa orësh në arrati, autori i dyshuar ka rënë në prangat e policisë.

Sipas burimeve paraprake, shkak i konfliktit ishte kërkesa për anëtarësime të reja të simpatizantëve që merrnin pjesë në votime.

Anëtari Van Rica kishte kërkuar anëtarësimin e simpatizantëve, por ajo u kundërshtua nga nënkryetarit  të PD-së, Kastriot Marku.

Pas kësaj, ai ka qëlluar me armë zjarri në korridor e më pas është larguar. Nga të shtënat nuk pati të lënduar.

Rica, i cili rezulton të jetë punonjës i një policie private në Laç akuzohet për “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, "Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri pistoletë me të cilën dyshohet të ketë qëlluar dhe gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë