Biznes

Konfindustria: Trafiku në Tiranë, kosto shtesë për biznesin

Konfindustria përmes një njoftimi për mediet, shpreh shqetësimin për gjëndjen e vështirë të qarkullimit rrugor në Tiranë dhe mënyrën jo profesionale sipas saj të menaxhimit nga agjencitë përgjegjëse të pushtetit vendor.

“Ndalimi dhe/ose kufizimi i lëvizjes së mjeteve në akset kryesore si në Rrugën e Durrësit, Qëndër, Zogu 1 dhe shumë akse të tjera të rëndësishme, shoqëruar me problematika të theksuara të planifikimit dhe kontrollit kohor të zbatimit të investimeve publike dhe private, ka prekur ndjeshëm bizneset dhe mirëqënien e qytetarëve të Tiranës”- citon Konfindustria.    

Gjëndja thotë shoqata e biznesit, paraqitet vecanërisht e vështirë me mbarimin e sezonit veror, duke sjellë kosto shtesë krejtësisht të paarsyeshme për bizneset. Kostot shtesë paraqiten në lëvizjen e puntorëve, furnizimet me mallra dhe shërbime, shpenzimet e karburantit, humbjen e klientelës, etj. 

Konfindustria kërkon, që përpara cdo vendimi, lidhur me qarkullimin rrugor në kryeqytet, agjencitë përgjegjëse bashkake duhet të vlerësojnë detyrimisht pasojat ekonomike, financiare dhe mjedisore shoqëruese për bizneset dhe qytetarët. Gjithashtu, është e domosdoshme, që masat e parashikuara, duhet të bëhen të ditura publikisht dhe jo të veprohet sipas politikës së “ faktit të kryer”.

Konfindustria kërkon nga bashkia e Tiranës dhe qeveria të marrin masa të jashtëzakonshme për përmirësimin e qarkullimit rrugor në kryeqytet dhe njëkohësisht marrjen e masave ndëshkuese për përgjegjësit e gjëndjes së papranueshme të tashme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë