Biznes

Konfindustria: Të vendoset taksë e jashtëzakonshme edhe për kompanitë e naftës

Nga Gazeta 'SI' - Konfederata e Industrisë në Shqipëri, Konfindustria i ka kërkuar qeverisë që në taksimin e jashtëzakonshëm për prodhuesit e energjisë që kanë përfituar nga çmimet shumë të larta të tregut, të përfshihen dhe kompanitë e naftës, pasi ka ndodhur e njëjta gjë.

“Konfindustria mbështet në parim vendosjen e taksës së jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë, sipas modelit të vendeve të BE-së. Taksës së jashtëzakonshme duhet t’i nënshtrohen pa përjashtim të gjithë prodhuesit e energjisë elektrike, që e kanë shitur energjinë në tregun e lirë gjatë vitit 2022 dhe jo vetëm disa prodhues të mëdhenj. Ka të dhëna, që edhe prodhues të vegjël dhe të mesëm kanë shitur energji elektrike në treg të lirë në shkelje të kontratave koncesionare, që detyrojnë shitjen energjisë kompanive publike me çmim të paracaktuar. Gjithashtu, duhen parë hapësirat ligjore të marrëveshjeve koncesionare, që taksimit të ngjashëm t’i nënshtrohen edhe kompanitë prodhuese të naftës”, - deklaron Konfindustria.

Po ashtu, ajo kërkon përjashtimin nga të gjitha llojet e taksave gazin e lëngshëm për vitin 2023 dhe të gjitha materialet/pjesët, që përdoren për prodhimin e “paneleve diellore” dhe prodhimeve “termoizoluese” të banesave.

Sipas Konfindustrias, janë dy masa që sugjerohen për lehtësimin e përballimit të krizës energjetike nga ana e biznesit.

Po ashtu, i kërkohet mbështetje financiare për bizneset me qëllim nxitjen e industrisë së prodhimit të paneleve diellore në vend.

Masat në fjalë kanë ndikim të papërfillshëm në të ardhurat e parashikuara të buxhetit të shtetit, sipas vlerësimit të konfederatës së industrive në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë