Biznes

Konfindustria: Paketa e shpëtimit larg realitetit të biznesit, dëmton buxhetin e shtetit

Shoqata mendon se është gabuar ligjërisht në ndarjen e kategorive. Ja si mund të veprohet!

Për Konfindustrinë mënyra e parashikuar nga qeveria për zbatimin e paketës financiare të përballimit të pasojave të pandemisë COVID19, është larg realitetit të biznesit, dëmton buxhetin e shtetit, rrezikon shpërdorim dhe efektivitet të ulët të burimeve financiare tepër të kufizuara gjëndje.

Për shoqatën e biznesit, me këtë Paketë Shpëtimi është e gabuar ligjërisht, financiarisht dhe moralisht ndarja në 2 grupet e ashtuquajtura “biznes i vogël” dhe “ biznes i madh” si kusht për përfshirjen ose jo në Paketën Financiare të ndihmës.

Duke u përballur me këtë situatë, Konfindustria kërkon, që klasifikimi i tatimpaguesve të bëhet në 3 kategori perkatësisht:

-  tatimpagues, që me ligj u është ndaluar aktiviteti,

- tatimpagues, që vazhdojnë aktivitetin,

- tatim pagues, që u lejohet aktiviteti, por janë dëmtuar ndjeshem nga masat shtrënguese.

Tatimpaguesit, që vazhdojnë normalisht aktivitetin ekonomik, sipas propozimit të Konfindustrisë, duhet të paguajnë të gjitha detyrimet fiskale qendrore dhe vendore, sipas parashikimeve ligjore në fuqi pa asnjë lehtësim

Në këtë kategori, thotë shoqata, të përfshihen edhe biznese “të privilegjuara”, që punojnë në tregje, të mbyllura dhe kufizuara me ligj, licenca, PPP, koncesione, etj.

“Vlerësojmë, se një numër i lartë biznesesh “të mëdhenj" dhe “të vegjël”, vazhdojnë aktivitetin normal si në sektorët e tregtisë, telekomunikacionit, industrisë, transportit, bankave, sigurime, energji, IT,  etj. Për më shumë mjaft prej bizneseve të mësipërm kanë patur mundësi për shtim të ndjeshëm të ardhurash gjatë kësaj kohe.”-sqaron Konfindustria. 

Ajo propozon që të gjithë tatimpaguesit e tjerë pa përjashtim, që nuk pëfshihen në kategorinë e aktiviteteve të lejuara, duhet të pezullohen dhe/ose përjashtohen nga pagesa e detyrimeve fiskale.

Po ashtu, tatimpaguesit e kategorisë së lejuar, por që janë prekur ndjeshëm nga gjendja e jashëzakonshme, duhet të jenë përfitues në masën të paktën 50% të lehtësive të  kategorisë së bizneseve me aktivitet të ndaluar me ligj.

 Kategorizimi, shpjegon Konfindustria të jetë i vlefshëm dhe të zbatohet edhe për detyrimet dhe/ose përfitimet e të punësuarve përkatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë