Biznes

Konfindustria: Jo kanabis mjekësor e falje fiskale pa miratimin e ndërkombëtarëve

Konfindustria i kërkon politikës që të mos miratojë projektligjin e “Amnistisë fiskale” dhe atë të “Kanabisit mjekësor” pa miratimin paraprak të partnerëve strategjikë ndërkombëtarë.

Në rast të kundërt, sipas Konfindustrisë, jo vetëm, që nismat në fjalë rrezikojnë të dështojnë, por edhe të prodhojnë pasoja të rënda për ekonominë, biznesin, integrimin dhe detyrimet e Shqipërisë në BE dhe strukturat euroatlantike.

 Gjithashtu, thotë ajo, nismat e njëanshme prekin edhe interesat kombëtare, në kushtet e debateve të tashme për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. 

Konfindustria vlerëson, se nismat ligjore në fjalë të ndërmarra nga ekzekutivi shqiptar, tejkalojnë ndjeshëm interesat vendore.

“Shqipëria është vendosur prej kohësh në vëzhgimin e rreptë të agencive ndërkombëtare partnere për problematikat e “parave të zeza” dhe “pastrimt të parave”. Në fillim të vitit 2020 Shqipëria u rivendos në listën gri të MoneyVal të BE-së për rrezikun në shtim të pranisë së parave të zeza, pastrimit të parave me burim nga korrupsioni, trafiqet, etj. Gjithashtu, Shqipëria është vendosur prej kohësh nga BE në listat e vendeve kryesore prodhuese dhe eksportuese të kanabisit.”-shprehet Konfindustria. 

Ajo mendon, se nismat për “Amnistinë fiskale” dhe “Kanabisin mjekësor” janë mjaft të ndërlikuara në shtete me institucione të dobëta si rasti i Shqipërisë.

Sipas saj, pëgatitjet dhe zbatimi në praktikë i nismave ligjore edhe në kushtet e miratimit nga partnerët euroatlantikë, duhet të jenë mirë të menduara, sepse ndryshe rrezikohet goditje e konkurencës së ndershme të bizneseve, ligjërim i shtimit të mëtejshëm të informalitetit masiv prej pothuaj 40% të PPB të tashëm në ekonomi, fuqizim i grupeve kriminale, korrupsionit shtetëror, etj.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë