Lajme

Konferenca e kryetarëve, PS shtyn ligjin e Teatrit

Në Konferencën e kryetarëve, të thirrur nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, opozita ka vijuar akuzat ndaj qeverisë për kriminalitetin dhe vrasjet e njëpasnjëshme në vend.

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve vjen fill pas mbledhjes së grupeve që zhvilloi PD dhe PS.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, është shprehur në mbledhje se deputetët e mazhorancës janë të lidhur me krimin.

“Qeveria drejtohet nga krimi e droga. Deputetët janë të lidhur me krimin. Reforma në drejtësi ka dështuar, vendi është pa gjykata. Balla është i lidhur me krimin, e me të dënuar për drogë. S’duhet të ishte pjesë e konferencës së Kryetarëve bazuar edhe në ligjin e dekriminalizimit. Miratoni dekretin e Presidentit dhe rrëzoni ligjin e Ramës për Teatrin” u shpreh kryetari i Grupit të Pd-së, Edmond Spaho.

 Në mbledhje PS ka kërkuar shtyrjen e diskutimit për ligjin e teatrit të ri, përtej datës 13 shtator që ishte e parashikuar. 

 “Një ndër pr/ligjet e rëndësishme që përbën dhe sensibilitet është dhe dekreti i presidentit. Meqë është depozituar gjatë kohës që kuvendi ishte shpërndarë u kërkua nga komisioni për Veprimtarinë Prodhuese,  që ky dekret të mos jetë në datën 13 shtator por atë të datës 20 pasi komisioni, përgjegjës ka nevojë për kohë për të hartuar relacionin përgjegjës. Këtë vendosi sot konferenca e kryetarëve”, është shprehur Ulsi Manja.

Sakaq, Spaho kujtoi edhe njëherë paralajmërimin e Bashës.

“Urova që mazhoranca të ketë kurajën të sjellë ligjin në Kuvend, të miratojë dekretin dhe të rrëzojë ligjin. Nëse nuk e kanë këtë vullnet, të kenë parasysh që siç tha Basha, me veprimet e tyre do ta çojnë vendin në një situatë ku paqëndrueshmëria politike do të jetë tipari kryesor i raporteve mes mazhorancës dhe opozitës”, vazhdoi Spaho.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë