Nga Gazeta ‘Si’- “Shqipëria është e përkushtuar për të përmbushur detyrimet dhe mbyllur të gjitha negociatat brenda 2027”, deklaroi kryeministri Edi Rama pas një takimi me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.
Ndërsa Shqipëria hap një tjetër grupkapitujsh në Konferencën e katërt Ndërqeveritare, Rama tha se temë e takimit janë edhe përgatitjet e Samitit të Komunitetit Politik Europian më 16 maj, si edhe situata në rajon.
“Jam shumë i kënaqur që gjendem këtu me Presidentin e Këshillit Europian i cili me mençurinë e vëmendjen e tij ndaj vendit e rajonit tonë është diçka që e vlerësoj shumë. Sot sigurisht është një ditë shumë e mirë për ne sepse kemi një tjetër Konferencë dhe çelin kapituj të tjerë, ndërkohë që me Presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë rreth përparimit që ne po bëjmë në këtë proces”, tha Rama.
Samiti i ardhshëm i Komunitetit Politik Europian, sipas Ramës ka një rëndësi të posaçme në këtë moment dhe në këtë kohë.
“Sigurisht edhe do të flasim për rajonin ndaj të cilit Presidenti është veçanërisht i përkushtuar. Kështu që ka shumë për të diskutuar, por në përgjithësi jam shumë, shumë i inkurajuar nga këto zhvillime”, tha Rama.
Ky grupkapitull që hapet sot përfshin nëntë kapituj tematikë, që prekin fusha themelore për integrimin ekonomik dhe ndërtimin e tregut të lirë, si: lëvizja e lirë e mallrave, punëtorëve dhe kapitalit, shërbimet financiare, mbrojtja e konsumatorëve, konkurrenca dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.