Drejtësia

Koncesioni i sterilizimit, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqitet në SPAK

Gazeta Si - Ilir Beqaj, ish ministri i Shëndetësisë është paraqitur mëngjesin e kësaj marte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Ai ndodhet aty që prej orës 09:00, ku do të merret në pyetje nga SPAK për aferën e koncesionit të sterilizimit.

Beqaj është me masë sigurie "detyrim paraqitje", në lidhje me këtë koncesion, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Më herët, ai është paraqitur dy herë në SPAK për të zbatuar vendimin e masës së sigurisë "detyrim paraqitje".

SPAK ka zyrtarizuar hetimet ndaj Ilir Beqajt me masën e shtrëngimit të paraqitjes në policinë gjyqësore dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, si person nën hetim për shpërdorim detyre në procedurat e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Beqja është urdhëruar të paraqitet çdo të premte në Byronë Kombëtare të Hetimit, të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës apo mjeteve të tjera identifikuese për daljen jashtë shtetit.

Ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e Partneritetit Publik-Privat të sterizilimit, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Hetimi nga ana e SPAK për Beqaj vazhdonte prej tre vitesh për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrje në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim,  si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë