Drejtësia

Koncesioni i sterilizimit, Shkëlqim Cani flet pas dëshmisë në SPAK: Nuk jam ministri që ka kryer pagesat

Gazeta Si - Për llogari të hetimeve për koncesionin e sterilizimit pranë SPAK, ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani ka dëshmuar këtë të enjte për rreth 3 orë në SPAK, si person që ka dijeni në lidhje me këtë koncesion, që ka çuar disa persona në pranga.

Në deklaratë për mediat, ai tha se nuk ka përgjegjësi sa i takon marrëveshjes që është firmosur në vitin 2015 mes Ministrisë së Shëndetësisë së asaj kohe me kompani të caktuara.

Cani theksoi se ka zbatuar në mënyrë rigoroze ligjin dhe se nuk ka asnjë lidhje me koncesionin e sterilizimit të aseteve kirurgjikale, pasi në kohën që janë kryer pagesat për të, ai nuk ishte më në detyrë si ministër i Financave.

“Nuk jam ministri që ka kryer pagesat, se kur është pranuar koncesioni unë jam larguar nga detyra. Janë plotësuar kërkesat sipas ligjit... Nëse plotësohet dokumentacioni, unë jam i detyruar të zbatoj ligjin, se çfarë ndodh më pas është histori më vete, nuk jam unë më ministri që i di këto gjëra”, deklaroi ai.

Cani shtoi se "SPAK duhet falënderuar për zbulimin e së vërtetës". "Punët e mia janë ndërtuar mbi bazën e shkresave. Kam zbatuar ligjin, nuk kam bërë shkelje. Duhet të ruaj sekretin hetimor. Nuk jam ministri që kam kryer pagesat. Kur ka filluar koncesioni jam larguar nga detyra", tha ndër të tjera Cani.

Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në pushtet në vitin 2013.

Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare "Sani Service".

Dy ish-ministrat shkëmbyen korrespondencë nga tetori 2015 deri në janar 2016, ku Cani kërkoi fillimisht që të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni dhe jo prokurimi i zakonshëm.

I pyetur nëse ka pasur shkelje, ish-ministri Shkëlqim Cani u shpreh: “Duhet të pyesni ata, jo mua. Unë kam dhënë përgjigje për ta që më ka kërkuar institucioni në zbatim të ligjit”.

Ai mohoi lidhjet apo njohjet me biznesmenin e arrestuar, Ilir Rrapaj.

“Ç’ne të më njihte mua?! Të më jepte edhe ca pará mua, apo si e mendoni ju? Ç’donte ai me mua?! Ministri i Financave nuk ka asnjë lidhje me këtë, pse duhet ta njoh?”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë