Politike

Koncesioni te Porti i Durrësit, PD kallëzon në SPAK Ballukun

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë  Demokratike Gazmend Bardhi kallëzoi në SPAK ministren e Energjise dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku për të paktën 6 vepra penale në lidhje me koncesionin 30 milionë euro të kalatës së Portit të Durrësit.

Në padinë e dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion përfshihen edhe drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu, ametarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, si dhe kompania koncesionare, “Hili Company Limited”.

 “Kompania që operon në Maltë, ka aksionerë të fshehur në parajsa fiskale, njihet ndërkombëtarisht për operacione të dyshimta të pastrimit të parave nga skandali i “Panama Papers”, thotë PD, e cila argumenton në padi edhe dy raste të shkeljeve të ligjit dhe dokumenteve të tënderit.

“Së pari, pasuria publike me vlerë 30 milionë euro, është bërë me procedurë të kufizuar, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Në ligj është e qartë se kjo procedurë nuk zhvillohet për shërbime që gjenden lehtësisht në treg, siç është puna në kalatë.

Së dyti, koncesioni iu dha një kompanie me pronarë të rregjistruar në parajsa fiskale, në kundërshtim me përcaktimet e tenderit. Në dokumentat e tenderit thuhet qartë se “Ofertuesi, përfshirë anëtarët e Bashkimit të Përkohshëm dhe ortakët e tij nuk duhet të jetë i regjistruar në vende të njohura si parajsa fiskale/offshore.”, thuhet në padi.

“Fakti që ky operator është kualifikuar në kundërshtim me këto kritere ligjore është element i qartë që kemi të bëjmë me konsumimin e elementeve të veprave penale të korrupsionit”- thuhet më tej në padinë e PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë