Biznes

Kompanitë e qumështit ankohen tek Konkurrenca: Çmimet e ndryshme të energjisë krijojnë pabarazi

Nga Gazeta ‘SI’ - Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë se Energjisë të rishikojë përsëri vendimin e përcaktimit të furnizimit me energji të kompanive, në mënyrë që rregullat të mos jenë diskriminuese.

Ky reagim i AK-së ka ardhur pas ankesës së kompanive të grumbullimit dhe përpunimit të qumështit, “Erzeni” Shpk dhe “Gjirofarma” të lidhura në tensionin 35 kilovolt, tension i lartë. Sipas tyre, bizneset që janë të lidhura në këtë tension e blenë energjinë në treg të rregulluar shumë herë më pak se në treg të lirë, duke krijuar pabarazi.

“Kjo situatë është krijuar për shkak të parashikimeve ligjore të cilat kanë lejuar operimin e tregut në kushte të pabarabarta, të cilat janë vënë në dukje me daljen e subjekteve në treg të lirë. Për këto arsye Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Ministrisë së Energjisë marrjen e iniciativës ligjore për rishikimin e pikës 6 të nenit 85 të ligjit nr. 43, datë 30.04.2015.” - thekson AK.

Kompanitë që janë të lidhura në 35 kv e marrin energjinë e tyre direkt nga tregu ose nga furnizues privatë me të cilët kanë bërë marrëveshje ose nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit në OSHEE, me çmim të mesatarizuar. Sipas ERE-s, në pamundësi dalje direkte në treg për shkak të kushteve jo të zakonshme, këto biznese e marrin energjinë me 31.5 lekë/KWh.

Bizneset e lidhura në tensionin e mesëm, paguajnë 18.26 lekë/KWh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë