Biznes

Kompania amerikane e energjisë padit BE-në për taksën shtesë të fitimit: Largon investitorët, kosto 2 mld $

Gjiganti amerikan i energjisë, ExxonMobil po padit Bashkimin Europian për shkak të taksës së fitimeve ekstra që ata kanë vendosur mbi prodhuesit e energjisë.

Taksa e fitimeve ekstra u vendos për firmat që përfituan nga një situatë për të cilën nuk kishin merita.

Firmat energjetike po marrin shumë më tepër para për naftën dhe gazin që tregtojnë, pjesërisht për shkak të problemeve të furnizimit pas pushtimit rus të Ukrainës.

Por Exxon ka akuzuar Brukselin për tejkalim të autoritetit të tij ligjor, duke e quajtur masën "kundërproduktive". ExxonMobil raportoi një fitim tremujor prej gati 20 miliardë dollarë (17.3 miliardë £) në tetor.

Kompania bashkë me aktorë të tjerë në sektorin e gazit dhe naftës kanë argumentuar se kjo nismë do të ulë investimet.

Në shtator, shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi planin e emergjencës për kompanitë kryesore të naftës, gazit dhe qymyrit për të paguar një "kontribut krize" për fitimet e tyre të rritura në vitin 2022. U njoftua një taksë prej 33% mbi fitimet e këtij viti - ato fitime ishin më shumë se 20% më të larta se mesatarja për tre vitet e mëparshme.

Exxon ka argumentuar gjithashtu se taksa minon besimin e investitorëve, në një sfidë të paraqitur në Gjykatën e Përgjithshme të BE-së me qendër në Luksemburg. "Nëse ne investojmë këtu varet kryesisht nga sa tërheqëse dhe konkurruese do të jetë Europa globalisht,"-  tha zëdhënësi i Exxon, Kejsi Norton për agjencinë e lajmeve Reuters.

Në një takim investitorësh në fillim të këtij muaji, shefi financiar i ExxonMobil vlerësoi se taksa e BE-së do t'i kushtonte grupit "mbi 2 miliardë dollarë".

Komisioni Europian tha se "po e merr parasysh" padinë e Exxon.

Në një deklaratë të enjten, zëdhënësja e saj tha se tani do të jetë në dorën e Gjykatës së Përgjithshme për të vendosur mbi rastin.

“Komisioni pohon se masat në fjalë janë plotësisht në përputhje me ligjin e BE-së”, - tha Arianna Podesta në një deklaratë.

BE-ja po përpiqet kryesisht të heqë dorë nga energjia ruse në vazhdën e pushtimit të Ukrainës, por kjo e ka bërë atë të përpiqet për burime alternative.

Ministrat e BE-së vlerësojnë se ata mund të mbledhin 140 miliardë euro (123 miliardë £) nga taksat për prodhuesit dhe furnizuesit e energjisë elektrike pa gaz, të cilët po bëjnë fitime më të mëdha se zakonisht nga nivelet aktuale të kërkesës./BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë