Njerez

Komiteti i ekspertëve/ Shpejt vendim se si do votojnë në zgjedhje edhe të infektuarit me COVID-19

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kryetarja e Komitetit të Ekspertëve Mira Rakacolli, tha sot pas mbledhjes së Komitetit Teknik se shumë shpejt do të ketë një vendim për mënyrën se si do të votojnë  të infektuarit me COVID-19.

Zv.ministrja Rakacolli, tha se kjo pjesë është në vëmendje të Komitetit të Ekspertëve, ndërsa tha se mosndryshimi i masave antikovid në fuqi, vjen si rezultat i situatës epidemiologjike dhe jo për shkak të zgjedhjeve të 25 prillit.

“E kemi në vëmendje organizimin e votimit për personat që do të jenë të infektuar dhe së shpejti do kemi një vendim”,- nënvizoi ajo.

“Masat absolutisht nuk lidhen me zgjedhjet. Ne gjatë gjithë kohës, që në fillim, që prej një viti kemi dëshmuar që kemi mbajtur një qëndrim të arsyeshëm. Kemi parasysh një gjë, që infeksioni i Sars-COV2 dhe i sëmundjes COVID-19 erdhi njëkohësisht në gjithë botën, ishte një ngjarje e re për gjithë botë dhe është një ushtrim që bota po bën në të njëjtën kohë. Të tërë nisemi nga shkenca epidemiologjike, nga masat që shkenca epidemiologjike sugjeron”, u shpreh Rakacolli.

“Komiteti i ekspertëve në vazhdimësi i ka gjykuar masat në lidhje me treguesit. Strategjitë që kanë ndjekur vende të ndryshme janë të ndryshme. Akoma nuk është provuar një strategji që është e mirë për të gjithë. Nga bilancet e deritanishme, Shqipëria me shifrat që ka pasur tregon që masat kanë qenë të arsyeshme. Çdo masë që propozohet është për të ruajtur shëndetin e njerëzve mbi gjithçka tjetër. Shëndeti është prioritet”, -deklaroi Rakacolli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë