Politike

Komisioni i Jashtëm miraton Yuri Kim si ambasadore në Shqipëri: Dua të zgjidh krizën politike

Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë miratoi të mërkurën emërimin e diplomates Yuri Kim për postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Për t’u bërë zyrtar, emërimi i saj duhet të miratohet nga Senati. Komisioni votoi për 15 emërime, përfshirë për të emëruarin për postin e Ambasadorit amerikan në Rusi, John Sullivan.

Zonja Yuri Kim ishte emëruar nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti. Në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, ajo tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Para senatit amerikan, ajo tha se inkurajon vendin tonë për ngritjen e SPAK dhe BKH. Që prej majit të 2018-ës, Ambasada e SHBA në Tiranë nuk ka një drejtues, pas largimit të ambasadorit Donald Lu, ndërkohë që aktualisht ambasada amerikane në Shqipëri drejtohet nga zv/ ambasadorja, e ngarkura me punë Leyla Moses Ones. Ajo ka deklaruar se do të ndihmojmë në forcimin e ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit.
E pyetur për ndikimet ruse dhe si do të punojë në Shqipëri, kandidatja për ambasadore në vendin tonë Youri Kim deklaroi se në Shqipëri, ndikimi rus është pak ose aspak i ndjeshëm.
“Mendoj se mënyra për të ecur përpara bazohet në solidaritet, integrim dhe bashkëpunim. Duke qenë se Rusia nuk ka tërheqje të madhe në Shqipëri, ne do mbajmë vende të tilla më afër”, tha Yuri Kim.
E nominuara si ammbasadorja e SHBA-ve theksoi si pikë të dytë zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. “Së dyti, do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Në terma të menjehërshëm, unë do të shtyj drejtuesit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në një mënyrë që përforcon kërkesën e pranimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh Kim. Së treti, tha Kim, do të punoj për të promovuar eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri në mënyrë që të sigurohen mundësi për qytetarët e SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe të krijohen vende pune në të dyja shtetet.
Në hyrje të fjalimit të saj, kandidatja për ambasadore vlerësoi simpatinë dhe besnikërinë që shqiptarët kanë shfaqur ndaj SHBA-së.

“Shumë pak miq e kanë përqafuar më ngrohtë Shqipërinë – sondazhe pas sondazhe tregojnë se mbështetja e shqiptarëve për SHBA-në mbetet më e larta në botë. Shumë pak miq kanë qenë më besnikë – trupat shqiptarë kanë qenë në anën tonë në Afganistan, Kosovë, Bsonje dhe krahun lindor të NATO-s. Dhe pak partnerë janë kaq të gatshëm për të bërë më shumë me SHBA-në. Ne kemi miq të fuqishëm dhe besnikë në Shqipëri, dhe është e domosdoshme që ne mbajmë pranë miq si Shqipëria, veçanërisht përballë sfidave strategjike ndaj interesave, vlerave dhe institucioneve të përbashkëta”, u shpreh Kim.

Yuri Kim. Gazeta Si 2019

Ajo tha se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional. Zonja Kim tha gjithashtu se do të inkurajonte Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

Zonja Kim tha se nëse konfirmohet, do të punonte gjithashtu për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri. Nëse konfirmohet, Yuri Kim do të ishte gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, do të ishte gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.

Karriera

Diplomatja ka shërbeur në poste në ndryshme në Departamentin Amerikan të Shtetit, duke përfshirë Drejtorinë e Zyrës së Çështjeve të Europës Jugore. Më interesante është se e përzgjedhura e Trump ka qene edhe anëtare delegacionit të SHBA-së në bisedimet gjashtë palëshe me Korenë e Veriut.

Zyrtarja e lartë e shërbimit të jashtëm amerikan, e cila ka punuar në poste kryesore dhe ka mbuluar rajone të shumta, duke përfshirë Kinën, Korenë e Veriut, Turqinë, Irakun dhe NATO-n. Ajo ka qenë Shefe e Shtabit të Zëvendëssekretarit të Shtetit, 2015-2017, si dhe ka drejtuar Zyrën për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politike-Ushtarake.

Si Këshilltare Politike në Bagdad (2009-2010), ajo u angazhua me udhëheqësit irakianë në spektrin e plotë të çështjeve të brendshme, dypalëshe dhe rajonale. Ajo gjithashtu punoi me zyrtarët e lartë amerikanë të mbrojtjes për përgjegjësitë dhe buxhetin e forcave amerikane në Iraku. Para kësaj detyre, ajo ishte Asistente e Ndihmës Sekretarit Shtetëror për Çështjet e Azisë Lindore dhe një anëtare e delegacionit të SHBA-së në bisedimet që synonin denuklarizimin e Koresë së Veriut.

Në karrierën e saj si diplomate e Departamentit të Shtetit, Yuri Kim ka shërbyer për Shtetet e Bashkuara në vende si Koreja dhe Iraku por vështirë se në ndonjërin prej këtyre vendeve, roli dhe zëri i saj do të ketë patur peshën që ka në Shqipëri një zë i Uashingtonit.

Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t'i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë