Lajme

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e kryeprokurores së Durrësit

Komisioneri Publik ankimon në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit prokuroren e Durrësit, Anita Jellën.

Sipas Komisionerit Publik, Jella nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

“Nisur nga parashikimi i nenit 179/b, pika 5, të Kushtetutës dhe aneksit të Kushtetutës, konsiderojmë se, ndryshe nga sa disponon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kriteret e rivlerësimit, duke marrë për bazë gjendjen e fakteve dhe provave në rastin konkret dhe të ligjit të zbatueshëm, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë”, thuhet në njoftim.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në dhjetor të vitit të kaluar vendosi të konfirmojë në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella.

Procesi i vetingut për Jellën u krye nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Etleda Çiftja.

Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë