Futboll

Kombëtarja i shërbeu vetëm Brojës, kuqezinjtë e tjerë pa gjurmë me klubet

Dy ndeshjet e fundit të Kombëtares me Hungarinë dhe Poloninë i kanë shërbyer vetëm sulmuesit Armando Broja në aspektin individual. Pas grumbullimit me kuqezinjtë, sulmuesi 20-vjeçar luajti titullar me Southemptonin dhe shënoi golin e fitores ndaj Lidsit, që është edhe goli i parë për të në Premier Ligë.

Broja paraqiti një nivel shumë të mirë loje, shënoi dhe krijoi edhe 2-3 raste të tjera të rrezikshme. Pas ndeshjes, trajneri Southemptonit, Ralf Hasenhutl, pranoi se në vendimin e tij për ta hedhur sulmuesin e ri në fushë që nga minuta e parë ndikoi goli që ai kishte shënuar për Kombëtaren kuqezi ndaj Hungarisë. Dhe vendimi i tij rezultoi të ishte ai i duhuri, Broja ia shpërbleu besimin me atë gol trepikësh.

Broja feston golin ndaj Lidsit. Gazeta Si, 18 tetor 2021

Për kuqezinjtë e tjerë gjërat nuk kanë shkuar mirë me klubet, pas rikthimit nga Kombëtarja. Marash Kumbulla, edhe pse mori vlerësime maksimale për duelin me Levandovskin në ndeshjen me Poloninë, nuk mori asnjë minutë ndaj Jventusit me Romën. Mourinjo ende nuk po bindet për ta aktivizuar titullar mbrojtësin shqiptar.

Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha, përsëri kanë qëndruar në stol. Elseid Hysaj e nisi titullar ndeshjen me Interin, ku shkaktoi një penallti dhe ishte zëvendësimi i parë i trajnerit Sarri në pjesën e dytë. Ishte një paraqitje poshtë nivelit mesatar për mbrojtësin kuqezi. Rei Manaj u aktivizua vetëm 20 minuta në fund në fitoren 2-1 të Specias ndaj Salernitanës, ku Frederik Veseli nuk ishte as në stol për shkak dëmtimi.

Hysaj shkakton penallti ndaj Barelës. Gazeta Si, 18 tetor 2021

Në stol qëndroi edhe mbrojtësi Adrian Ismajli ndaj Atalantës, ndërsa Nedim Bajrami pati gjysmë ore në dispozicion në pjesën e dytë të ndeshjes, ku Empoli u mund thellë, 1-4. Mungoi Berat Gjimshiti për shkak të dëmtimit të pësuar ndaj Hungarisë.

Disa nga kuqezinjtë e infektuar nga Covid-19 në Kombëtare, si Sokol Cikalleshi, Klaus Gjasula dhe Ivan Balliu, sigurisht që kanë qenë jashtë skuadrave të tyre për fundjavën që lamë pas. Sot në mbrëmje luan Espanjoli i Keidi Bares, që pret Kadizin në shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë