Futboll

Kombëtaret e moshave hyjnë në një fazë transformimi

Edhe pse për momentin futbolli i luajtur është i pezulluar për shkak të epidemisë Covid-19, te kombëtaret e moshave kanë filluar përgatitjet për ekipin që do vijë pas përfundimit të kualifikueseve. Kombëtarja U-21 që drejtohet nga Alban Bushi, do duhet të privohet nga disa prej lojtarëve kryesorë, pasi Gentian Selmani, Sherif Kallaku, Din Sula, Leonardo Maloku dhe Jurgen Bardhi, do të kenë moshën 22 vjeçare në qershor dhe sipas rregullores nuk mund të vazhdojnë të jenë më pjesë e moshave U-21.

Bën përjashtim Armando Broja, i cili mund të mos luajë për ekipin e drejtuar nga Bushi, jo për arsye të moshës, por për faktin se shihet një kandidat për Kombëtaren A. Edhe siç ndodh në të tilla raste, ka filluar puna për të zëvendësuar këta lojtarë. Një detyrë jo e vështirë, pasi po të shohim talentet që aktivizohen në kombëtaret e moshave, atëherë mund të themi që kemi një brez të talentuar.  Ernest Muci, i cili po shkëlqen me Tiranën, pritet të ketë një rol kryesor te kombëtarja. Forma e treguar si me kryeqytetasit apo edhe me U-19 e bëjnë një talentet më premtues për të ardhmen. Rezart Rama dhe Armando Dobra pritet të ofrojnë shumë siguri në repartet e mbrojtjes dhe mesfushës.

Reparti i sulmit pritet të kompletohet nga lojtarë që luajnë me ekipet kryesore të Evropës. Marvin Cuni i Bayernit dhe Emiliano Bullari i Olympiacos, pritet të luajnë një rol të rëndësishëm te ekipi i Bushit. Kolonisë së ‘’kroatëve’’ në kombëtaret shqiptare, pritet ti bashkohen edhe Indrit Tuci i Lokomotiva Zagreb dhe Bernad Karrica i Dinamo Zagreb. Këta lojtarë apo edhe ndonjë tjetër talent që mund të ‘’zbulohet’’ rrugës, krijojnë bazën për një ekip konkurrues dhe plot me talente.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë