Motosport

Kombet e Bashkuara, hetim për “Mandalika Circuit”: Po shkelen të drejtat e njeriut

Fshatarë dhe peshkatarë të vënë nën presion dhe të përzënë nga tokat e tyre pa asnjë rimbursim. “Mandalika Circuit” në Indonezi po ndërtohet në shkelje të plotë të të drejtave të njeriut dhe denoncimi vjen nga inspektorët e Kombeve të Bashkuara, të cilët kanë hapur një hetim për tre miliardë dollarët që enti i turizmit të gjigantit aziatik po investon për ta shndëruar këtë ishull në një Bali të ri.

“Mandalika Circuit” është në fakt “qershia mbi tortë”, pasi projekti është i destinuar të sjellë të ardhura të mëdha. Bëhet fjalë për një pistë që do të përdoret vetëm dy herë në vit dhe garanton siguri të nivelit të lartë. Sipas planit, “Mandalika Circuit” duhet të presë Botërorin e Superbike më 13-14 nëntor 2021 dhe figuron edhe në listën “rezervë” në kalendarin e MotoGP të këtij sezoni.

Nga punimet për ndërtimin e Mandalika Circuit". Gazeta Si, 9 prill 2021

Por ka një problem. “Burime të besueshme kanë zbuluar se banorët vendës janë kërcënuar, janë intimiduar dhe janë përzënë me forcë nga tokat e tyre pa u rimbursuar, - ka shkruar Olivier De Shuter, relator i Kombeve të Bashkuara për çështjet ligjore të të drejtave civile. - E gjitha kjo pa gjetur një zgjidhje për banorët nga Korporata Indoneziane e Zhvillimit dhe Turizmit”.

Mandalika është pjesë e ishullit Lombok, një zonë shumë e varfër. Cirkuiti i GP është pjesë e një investimi kolosal prej 3 miliardë dollarësh për ndërtimin e hoteleve të mëdha, infrastrukturës dhe parqeve zbavitëse. Investimi po bëhet nga “Asian Infrastructure Investment Bank”, por pjesë e “tortës” janë edhe kompani të njohura europiane. Ndërtimi i cirkuitit i është besuar grupit francez “Vinci Construction Gran Projects”.

Inspektorët e Kombeve të Bashkuara nuk janë mjaftuar vetëm me denoncimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut, ata kanë drejtuar gishtin edhe te një model zhvillimi që po ndiqet kohët e fundit në dëm të popullsisë lokale.

Nga punimet për ndërtimin e cirkuitit. Gazeta Si, 9 prill 2021

“Nuk është koha për të ndërtuar cirkuite garish dhe infrastrukturë turistike, që sjell të ardhura për një pjesë njerëzish dhe jo për popullsinë në tërësi. Ekonomia post-COVID duhet të përqendrohet te të ardhurat e komuniteteve dhe përmirësimin e jetës së tyre. Kërkojmë nga qeveria indoneziane të respektojë të drejtat e njeriut”. Ky është qëndrimi i inspektorëve të Kombeve të Bashkuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë