Taksa

Kolaudimi një herë në dy vjet, disa automjete nuk e përfitojnë

Ndryshimet e propozuara nga Qeveria në Kodin Rrugor për të ndryshuar kohën e kontrollit teknik të mjeteve nga çdo vit në një herë në dy vjet përjashtojnë nga ky detyrim mjetet e transportit të pasagjerëve dhe të mallrave.

Sipas propozimit të hedhur për konsultim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës nga ai që njihet shkurtimisht si kolaudimi një herë në dy vjet përjashtohen makinat e vogla, që përdoren si taksi si dhe ambulancat, furgonët, autobusët dhe mjete të tjera transporti pasagjerësh dhe mallrash.

Në propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës thuhet se “të gjitha mjetet që qarkullojnë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë të detyruara të kalojnë në kontroll teknik. Për mjetet e reja me motor, kontrolli teknik do të kryhet brenda tre vjetëve nga data e regjistrimit parë. Pas kësaj periudhe ky kontroll kryhet për çdo dy vjet. Mjetet e kategorisë M1, të përdorura si taksi dhe ambulanca si dhe mjetet e kategorive M2, M3, N2, N3, O3, dhe O4, kryejnë kontroll teknik çdo vit. Mjetet e reja të kategorisë M1, të përdorura si taksi dhe ambulanca si dhe mjetet e kategorive M2, M3, N2, N3, O3, dhe O4, kryejnë kontroll teknik brenda një viti nga data e regjistrimit të parë dhe më pas çdo vit”.

Kategoria M1 e mjeteve, sipas ndarjeve të Bashkimit Europian janë makinat e vogla 4+1 deri në 8+1 që përdoren si mjete taksi. M2 dhe M3 janë mjetet (autobusët) me më shumë se 8 pasagjerë dhe peshë totale që nuk tejkalon 5 tonë.

Mjetet e kategorisë N2 dhe N3 janë automjetet që shfrytëzohen për transport mallrash me dhe pa rimorkio që nuk tejkalojnë 12 tonët si peshë maksimale bashkë me ngarkesën. Kategoritë O3 dhe O4 përfshijnë kamionë transporti me peshë totale, bashkë me ngarkesën nga 0.75 ton deri në 10 tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë