Treg

Kolaudimi i automjeteve i kalon shtetit nga 1 janari

Nuk do të ketë asnjë tender për kolaudimin e automjeteve. Ministria e Infrastrukturës ka vendosur të mos e rinovojë kontratën për koncesionarin e kolaudimit të automjeteve.

Këtë e bën me dije për gazetën “Si” Ministria e Infrastrukturës.

Ajo thotë se shërbimi do ti kalojë shtetit nga muaji janar i 2021, pra DPSHTRR-së dhe për këtë ka një udhëzim të brendshëm se si do të funksionojë mandej shërbimi.

Ministria zbulon për gazetën Si gjithashtu se përmes një shkrese drejtuar kompanisë SGS e cila ofron shërbimin dhe afatin e ka deri në 31 dhjetor 2021, i ka kërkuar asaj të nisë dorëzimin e paisjeve, të cilat do të administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme të Transportit Rrugor.

“Pra ministrja i ka kërkuar SGS që të dorëzojë mjediset dhe infrastrukturën te DPSHTRR. Nuk ka hap tjetër deri tani”- bënë me dije nga Ministria për gazetën “Si”.

Kontrata koncesionare e  kolaudimit të automjeteve e lidhur me kompaninë SGS përfundoi afatin 10-vjeçar në shtator të vitit 2019, por qeveria vendosi ta shtyjë edhe me 16 muaj të tjerë vlefshmërinë e saj deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Ka patur shumë debate ndër ekspertë dhe përfaqësues të politikës që e kanë kundërshtuar dhënien e këtij shërbimi me koncesion duke u qasur se duhet ta ofrojë shteti.

Tregu i kolaudimit sipas të dhënave qarkullon rreth 8 milion euro në vit teksa ndërkohë që numri i automjeteve në qarkullim ka ardhur gjithnjë në rritje.

Kryeqyteti mbart numrin më të lartë të automjeteve në vend, duke pasur brenda tij 31 % të automjeteve që ndodhen në mbarë vendin. Referuar shifrave të Open Data, në total në Shqipëri janë 578 mijë e 638 automjete pasagjerësh dhe mallrash.

Pjesa më e madhe e automjeteve është në Tiranë, 179 mijë e 167 të tilla ose 31 % e automjeteve që ka vendi.

Të dhënat e publikuara janë deri në vitin 2018. Nga 179 mijë e 167 mjete, automjete pasagjerësh në Tiranë janë 158 mijë e 234  ose 88 % e tyre. Pjesa më e madhe janë autovetura (144 mijë e 363), ndërsa pjesa tjetër janë autobuzë e mikrobuzë (2 mijë e 73), motoçikleta e triçikla (11mijë e 784) dhe kampera (14).

Në kryeqytet janë edhe 20 mijë e 933 automjete mallrash nga të cilat 18 mijë e 570 janë kamionë dhe traktorë rrugorë, 46 janë makineri bujqësore, 2 mijë e 82 janë rimorkio dhe 235 janë makineri teknologjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë