Ngjarje

Kokaina mes bananeve, e pesta herë brenda një muaji për llogari të së njëjtës firmë

Pakot me kokainë të zbuluara në Portin e Durrësit, janë gjetur nga policia në kontejnerët me banane të firmës “Alba Exotic Friut”.

Kjo është hera e pestë brenda më shumë se një muaji, që sekuestrohet kokainë në kontejnerët e të njëjtës firmë. Edhe pse administratori i firmës, Eduart Dauti, është shpallur në kërkim nga policia, kjo kompani po thyen çdo parashikim për transportin e kokainës përmes kontejnerëve me banane në Portin e Durrësit.

Me sasinë e sekuestruar këtë të martë, për llogari të "Alba Exotic Fruit" është kapur kokainë në kontejnerët me banane edhe në 4 operacione të tjera.

Më 13 korrik në Portin e Durrësit, kësaj kompanie iu sekuestruan 11 kg e 675 gramë kokainë. Ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur po në kontejnerët me banane. 

Më 29 korrik 2021, kompanisë iu gjetën dhe u sekuestruan 7.25 kilogramë kokainë në vijim të operacionit “Rada”. Por trafiku i drogës për llogari të kësaj firme, i kalon edhe kufijtë shqiptarë.

Në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet.

Për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e 'Alba Exotic Fruit' në 2019 u arrestuan Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj dhe u shpall në kërkim Gentian Malindi.

Në total, e gjithë sasia e lëndës narkotike të kapur nga policia për llogari të kompanisë së transportit të bananene, shkon në mbi 170 kg kokainë.

“Alba Exotic Fruit” është një kompani, e cila vepron në treg prej vitit 2011 dhe rezulton të jetë në pronësi Eduart Dautit dhe Barjon Gumenit.

Ky i fundit u arrestua më 13 korrik, kur policia zbuloi ngarkesën prej 11.6 kilogramësh kokainë, për të cilën Gumeni u shpreh se nuk ka lidhje.

Nga ana tjetër Eduart Dauti, i cili zotëron dhe pjesën më të madhe të aksioneve të kësaj kompanisë, është shpallur në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë