Ngjarje

‘Shqipëria mund të sulmohet nga grupe të lidhura me Iranin’, qeveria: Hamendësim

Nga Gazeta Si- Ambasada amerikane në Tiranë ka lëshuar një alert për shtetasit e saj, duke deklaruar se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.

Në njoftim thuhet se ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.

“Inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, thuhet në këtë deklaratë zyrtare.

Por, autoritetet shqiptare hodhën poshtë këtë, duke e quajtur “hamendje”.

Agjencia për Media dhe Informim e Qeverisë shqiptare tha për mediat se agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë “nuk e kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”.

Ajo shtoi se Ambasada amerikane “jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja”.

“Kështu që, ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në përgjigjen e agjencisë.

Paralajmërimi i Ambasadës amerikane erdhi pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë