Dosje

Kokaina dhe bandat shqiptare pas sulmeve me bomba në Anversë, qyteti ku u vra Bledar Muça

Gazeta Si - Qyteti i Anversës në Belgjikë, i dyti më i madhi në vend pas Brukselit, nuk njihet vetëm për shitje-blerjet e diamanteve.

Prej dekadash, Antverpeni (Anversa), është kthyer në hambarin e trafikut të kokainës që importohet kryesisht nga Amerika Latine dhe shpërndahet në vendet e tjera të Europës.

Por lufta për kontrollin e drogës, ku janë përfshirë disa grupe kriminale shqiptare është përshkallëzuar së fundmi. Nuk kanë munguar as viktimat, ku më i fundit, është ekzekutimi i Bledar Muçës në 22 janar të këtij viti.

Sipas mediave belge, pikërisht pas vrasjes së Muçës, duket se qyteti-port nuk ka gjetur qetësi. Pak ditë më parë në periferi, pranë Borgerhout, banorët u tronditën nga një shpërthim i ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit.

Ky ishte sulmi i tretë i tillë në vetëm një javë, ku u shkaktuan edhe dëme të konsiderueshme në pjesën e përparme të shtëpisë së synuar.

Policia, Sedee Dovo, shërbimi ushtarak belg për asgjësimin e bombave, u thirr në vendngjarje ndërsa rruga në Ledeganckstraat u mbyll për kalimtarët, në atë që ishte kulmi i një vargu sulmesh me bomba.

Pajisja shpërthyese, e cila dukej se kishte shënjestruar bodrumin e pronës, raportohet se ishte një mjet i thjeshtë shpërthyes i improvizuar dhe bazuar në fishekzjarre, ose IED në gjuhën ushtarake.

Më herët në të njëjtën javë, një ndërtesë apartamentesh në Generaal de Ëetstraat, gjithashtu në Borgerhout, u vu në shënjestër për dy netë me radhë.

Sulmet mund të lidhen me rivalitetin e bandave kriminale, teksa Antëerp njihet si një qendër kryesore për trafikun ndërkombëtar të kokainës.

“Kjo është veçanërisht e frikshme për njerëzit e Borgerhout. Ata me të vërtetë kanë filluar të ndihen të pasigurt në shtëpitë e tyre dhe në rrugët e tyre. E gjithë qasja ndaj problemit të drogës kërkon një mendim serioz. Unë kryesisht shoh atë që po ndodh në lagje dhe shoh frikën tek fqinjët e mi dhe në veten time. Mendoj se është e nevojshme të punohet me policinë. Oficeri i policisë nga e kaluara, i cili e njeh lagjen nga e para dhe që është në rrugë me biçikletë ose në këmbë, është hequr gradualisht”, tha për mediat, kryebashkiaku i qarkut, Marij Preneel.

Pjesa më e madhe e kokainës që trafikohet përmes Anversës besohet se vjen nga Kolumbia. Megjithatë, shqiptarët dyshohet se janë të përfshirë në ktë tregti dhe është e qartë se lufta kundër drogës është ndezur.

Media belge në vijim i bën jehonë vrasjes së Muçës, duke raportuar se “në shkurt të këtij viti, një gangster shqiptar me një pasaportë të falsifikuar britanike u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij në Anversë, mes një beteje të përgjakshme për menaxhimin e tregtisë fitimprurëse të drogës në metropolin belg, e cila e ka shndërruar atë në kryeqytetin evropian të kokainës”.

Beldar Muça, u qëllua gjashtë herë teksa kthehej në banesën e tij të shtunën e 22 janarit në mbrëmje, pak metra larg një stacioni policie.

Ai dyshohet se është ekzekutuar nga dy vrasës me pagesë. Muça, 39 vjeç, u filmua më parë në vitin 2016, duke mbajtur një pistoletë dhe duke qëlluar ndaj policisë dhe oficerëve në Elbasan.

Ai kishte qenë në Anversë për herë të parë që nga viti 2014, duke punuar si një anëtar kyç i një bande shqiptare që vepronte brenda portit, e cila është shfaqur për shkak se epiqendra e kokainës kontrabandohej në Britani dhe në pjesën tjetër të Evropës nga Amerika e Jugut.

Sipas mediave belge, “e njohur historikisht për blerjen dhe shitjen e diamanteve, Anversa thuhet se tani po pushtohet nga gangsterët shqiptarë me rrugët e qytetit të mbushura me para, me policinë që lufton për të mos humbur betejën me kartelet e drogës”.

Muça në Shqipëri është një emër njohur për drejtësinë, pasi dyshohej se ishte krahu i djathtë i Ardian e Florenc Çapjas në Elbasan dhe ishte dënuar me dy vite burg për përplasjen me armë me agjentët e policisë së këtij qyteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë