Futboll

Koeman i ka orët të numëruara te Barcelona, ka shpëtuar deri të enjten

I pyetur për lojën e Barcelonës, që në barazimin ndaj Granadës u katandis me krosime për Luk de Jong dhe Zherard Pike, i futur në minutën e 75-të për të luajtur në majë të sulmit, Ronald Koeman tha: “Është e lehtë të përgjigjesh. Shikoni listën e të grumbulluarve: çfarë mund të bjmë? Të luash tiki-taki, ku nuk ka hapësirë? Bëmë atë që duhej të bënim, provuam ta ndryshonim ndeshjen me një mënyrë tjetër. Nuk kemi lojtarë që të driblojnë kundërshtarin një për një, ose me shpejtësi. Nuk dua të flas më shumë”.

Te Barcelona kjo është situata. Pas 3-0 poshtërues kundër Bajernit të martën e kaluar, ka ardhur edhe ky barazim 1-1 me Granadën në javn e 5-të të kampionatit dhe katalanasit janë në kërkim të fitores së parë në La Liga. Një barazim që u arrit në minutën e fundit me golin e mbrojtësit Araujo. Barcelona dukej si një skuadër angleze e viteve ‘70. Koeman është një tip i ashpër, që nuk dorëzohet, por e di shumë mirë që presidenti Joan Laporta, pasi i tha se nuk është i bindur për qëndrimin e tij, e konfirmoi vetëm për mungesë alternativash.

Ronald Koeman, trajneri i Barcelonës. Gazeta Si, 21 shtator 2021

Mes të dyve kohët e fundit ka pasur një shkëmbim deklaratash thumbuese. Për perëndimin e tiki-takës së shenjtë, Koeman u shpreh: “Kjo nuk është Barcelona e 8 viteve më parë. Me lojtarët që kam në dispozicion, kam bërë maksimumin”. Dhe këtu pyetja që bëjnë të gjithë është: ka të drejtë Koeman, apo është ai që nuk arrin të marrë asgjë nga një grup lojtarësh që gjithsesi në letër duket kompetitiv, me lojtarë interesantë?

Trajneri i ka orët të numruara. Problemi është se shkarkimi i tij kushton, ashtu si zëvendësuesi i mundshëm. Por kjo Barcelonë është cop-copë. Të hënën në “Camp Nou” duhej të ishin 40.000 tifozë, por ishin shitur vetëm 27.000 bileta. Nuk ka më shumë dëshirë për të paguar për të parë këtë skuadër. Koeman ka shpëtuar të paktën deri të enjten, kur luhet ndeshja me Kadizin. Pastaj luan të dielën në shtëpi me Levanten, më pas vjen transferta delikate portugeze me Benfikën në Champions.

Kalendar i komplikar për të kërkuar një trajner tjetër. Në kokën e Laportës ka shumë emra, Ksavi, Zhordi Krojf që është marrë si drejtues më shumë për të qenë në vitrinë se sa për të qëndruar në zyrë. Katalanasi Bob Martinez pëlqehet shumë, por është i lidhur me Belgjikën. “Dome” Torrent, ish-ndihmës i Guardiolës, është një bast i komplikuar, Antonio Konte, duke lënë mënjanë stilin e lojës, nuk mund të arrihet ekonomimisht. Qarkullon edhe emri i Andrea Pirlos, që në “Camp Nou” është pëlqyer shumë si lojtar. Barcelona ka humbur identitetin (përveç Mesit, parave, lojës dhe rezltateve) dhe nuk di si ta gjejë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë