Futboll

Klubi arab godet me postimin ironik për Ronaldon, 2.5 milionë shikime në pak orë

Gazeta Si - Klubi arab i Al Fayha, pasi ndali Al Nasr të Kristiano Ronaldos, postoi një foto të kapitenit të ekipit, duke luajtur shah me CR7. Një ironi referuar reklamës së Louis Vuitton me Mesin dhe portugezin, që mori 2.5 milionë shikime shumë shpejt.

Kur shkoi në Arabinë Saudite, Kristiano Ronaldo duhet të ketë menduar se titulli kampion aty nuk do të ishte kaq i komplikuar. Sepse ai firmosi me Al Nasr, një skuadër shumë e fortë. Tre titujt e fundit i kanë fituar rivalët e Al Hilal, ku flitet se mund të shkojë Mesi, por parashikimet ishin të gjitha për Ronaldon kampion.

Situata u komplikua 4 javët e fundit. Al Nasr barazoi së fundi në fushën e Al Fayha, vendi i 11-të, me 28 pikë më pak se skuadra e trajnerit Rudi Garsia. Dhe kjo arritje e skuadrës së një qyteti me më pak se 100.000 banorë, që luan në një stadium me 7000 vende, bëri që të shpërthejë ironia.

Al Fayha postoi në Tuiter një foto të kapitenit Sami Al-Khaibari, të ulur përballë CR7, duke luajtur shah mbi një valixhe Louis Vuitton. Pak humor, duke sjellë në vëmendje reklamën, ku portugezi sfidon Mesin. Dhe mënjëherë 2.5 milionë shikime të një faqeje që ka vetëm 95.576 ndjekës. Një goditje mediatike e jashtëzakonshme për klubin e vogël. Diçitura e postimit edhe po ashtu elegante: “Shah mat”.

Ronaldo pati të paktën 3 raste për të shënuar në ndeshjen e fundit, pas së cilës u duk shumë nervoz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë