Futboll

Klubet e Superiores njëzëri: Qeveria të ndjekë shembullin e Kosovës, rrezikojmë falimentimin

Vendimi i Ministrisë së Sportit të Kosovës për të akorduar një fond prej 5 milionë eurosh në ndihmë të klubeve ka shkaktuar një furtunë te ekipet e Superligës. Drejtuesit e disa klubeve kanë kërkuar që qeveria të hedhë sytë nga futbolli dhe të ndihmojë klubet shqiptare, pasi e kanë të pamundur të paguajnë futbollistët e tyre.

Skuadra e parë që reagoi ishte Laçi me anë të një postimi në faqen zyrtare në Instagram. “ Futbollistët, stafi dhe pjesëtarët e tjerë të klubit me të drejtë presin të paguhen. Ka njëfarë mirëkuptimi të gjithanshëm për situatën e vështirë, por në fund të gjithë mendojnë se çfarë do të shtrojnë në tryezë, si do të paguajnë qiratë, apo si do të shlyejnë detyrimet e tjera. Nëse ne si klube nuk u përgjigjemi dot, praktikisht kemi pushuar së funksionuari. Ndaj, shteti shqiptar do të duhet ta shikojë me seriozitet edhe situatën e klubeve të futbollit, sikurse të çdo biznesi tjetër. Kjo nuk është në të mirë të askujt, ndaj presim një reagim të qeverisë shqiptare për këtë situatë. Nuk kërkojmë as me shumë e as më pak, por të jepet ndihmë, siç ndodh kudo në Evropë, duke nisur nga Kosova fqinje, që jo më gjatë se dy ditë miratoi fondin prej 5 milion eurosh për sportin”.

https://www.instagram.com/p/B-U_TcDgSqS/

Edhe presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj ka kërkuar që shteti të ndjekë rrugën e Kosovës, duke i dhënë një ndihmë edhe futbollit si sporti më popullor. “ Jo më larg se sot kemi mësuar se, Ministria e Sportit në Kosovë dha një fond prej 5 milion eurosh për sportin, që është me të vërtetë tejet pozitiv. Imagjinoni, nëse jepet një fond i atillë edhe në Shqipëri të paktën për këtë periudhë krize, besoj se do të jetë shumë pozitive dhe një shtysë shumë e madhe për klubet tona, në mënyrë që të mos cenohemi edhe më shumë në xhepat tanë. Kështu edhe sponsorët, duke qenë se aktiviteti nuk vijon shohin si rrugë të vetme largimin. Ndërkohë që edhe lojtarët me të drejtë kërkojnë pagat mujore sipas kontratës, sepse ne shumicën i kemi familjarë ” – tha presidenti i Bylis, Besnik Kapllanaj.

https://www.facebook.com/bylis.al/posts/2829676933816380

Veçanërisht i ashpër ka qenë reagimi i presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj i cili ka ironizuar qeverinë. “ Kosova dha një fond prej 5 milionë eurosh. Edhe ne si klube e kemi bërë kërkesën për t’u kompensuar, por kemi hallin për të ndihmuar Juventusin, sepse gjithë qeveria jonë është tifozë me Juventusin, ndërsa ajo kosovare është me klubet e tyre dhe fakt është se po i ndihmojnë. Kemi humbur 300 mijë euro nga mosshitja e Dejvi Bregut”.

Pas presidentit të Skënderbeut, atij të Bylisit dhe ekipit të Laçit një tjetër drejtues klubi ka reaguar për situatën e paprecedentë që po përjeton futbolli vendas. Halilaj i Luftëtarit  kërcënon me largim nga klubi nëse shteti shqiptar nuk e ndihmon financiarisht. “Klubet e futbollit paguajnë tatime dhe taksa në shtet. Jemi një sport që sjellim të ardhura dhe kënaqësi te njerëzit. Qeveria duhet të na llogaritë edhe ne si ndërmarrjet e tjera që janë mbyllur në këtë moment për shkak të përhapjes së koronavirusit. Duhet të marrim shembull nga Kosova, që vetëm në ditët e fundit për shkak të emergjencës, akordoi një fond prej 5 milionë eurosh për sportin. Jemi në një moment kritik ku mund të mendojmë edhe largimin nga drejtimi i klubit. Nëse qeveria nuk na jep një ndihmë në këtë moment të vështirë që po kalojmë”- përfundoi Halilaj.

Reagimi i presidentëve të klubeve vjen pas kërkesës të Ligës, ku me një letër të firmosur nga presidenti i saj Edvin Libohova, kërkon që nga skema e kompensimit të fitojnë diçka edhe 10 skuadrat e Superiores, që janë pjesëtare të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë