Drejtësia

KLP mbron SPAK: Dënojmë çdo frikësim të prokurorëve

Gazeta Si - Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka dalë në mbrojtje prokurorëve të SPAK-ut, duke dënuar veprimet fyese dhe intimiduese që ushtrojnë presion ndaj punës së tyre.

Në një deklaratë për mediat, KLP thekson po ndjek me me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me veprimet procedurale të ndërmarra nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK).

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta”, - thuhet në një deklaratë.

KLP, shton se mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, “duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, shprehë konsideratën e lartë për prokurorët e Prokurorisë së Posaçme “për misionin që kanë marrë angazhim të kryejnë, por edhe si personalitete me integritet të lartë. Rezultatet e punës së kësaj strukture, aktualisht janë vlerësuar pozitivisht nga të gjithë aktorët në vend, duke bërë të mundur rritjen e besimit të publikut tek drejtësia, pritshmëri kjo e reformës në drejtësi e ndërmarrë dhe miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në dakordësi të plotë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë