Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prokurori Arben Kraja është zgjedhur drejtuesi i Përkohshëm i SPAK, me 6 vota pro.
Për zgjedhjen e tij votuan pro anëtarët Sandër Beci, Vatë Staka, Beluri, Sheshi, Nurihan Sejti dhe Alfred Balla.
Prokurori Altin Dumani mori 4 vota, ndërsa prokurori Edvin Kondili mori vetëm një votë, atë të kreut të KLP-së, Gent Ibrahimi.
Me gjashtë vota pro, Arben Kraja është zgjedhur kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Për zgjedhjen e Arben Krajës në krye të SPAK është vlerësuar eksperienca në drejtim dhe menaxhimin e burimeve njerëzore.
Mbledhja për çështjen më të rëndësishme nisi pothuajse një orë me vonesë nga sa ishte njoftuar në axhendën e KLP. Shkak i vonesës u bë një mbledhje e Këshillit të Lartë Gjyqësor, çka solli edhe përplasje të dy këshillave për ambientet.
Në të vërtetë pavarësisht se KLP sot mbush një vit nga krijimi, ky institucion vazhdon t’i zhvillojë mbledhjet në zyrën e KLGJ.
Edhe pse ndërkohë prej muajsh u inauguruan ambientet e reja ku zhvendoset institucionet e reja, pra Poli i Drejtësisë, as KLP dhe as KLGJ nuk janë zhvendosur ende në këtë godinë.
Arsyet janë të paqarta zyrtarisht ndonëse jo zyrtarisht burime të gazetës “Si” pohojnë se Poli i Drejtësisë u dorëzua nga dhoma e avokatisë, do duhet që kjo godinë të arredohet.
Dhe e gjitha kjo ndërkohë po sjell probleme dhe përplasje për dy institucionet KLP dhe KLGJ. Këshilli i Lartë i Prokurorisë vazhdon të ketë zyrat e anëtarëve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa KLGJ në ish-zyrat e KLD, godina e Ministrisë së Drejtësisë.
Një ditë më parë gjatë intervistimit të tre kandidatëve për në krye të SPAK u pa publikisht se edhe kreut të KLP, Gent Ibrahimit i ka sosur durimi.
Gjatë momenteve që po intervistohej Edvin Kondili, ai në një çast e ndërpreu kandidatin për në SPAK, duke i thënë “po shohim orën se na kërkojnë ambientet ndonëse ky është një moment i rëndësishëm, ne po i japim vendit drejtuesin e SPAK”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.