Lajme

Klosi: Shtyrja e sezonit në 15 nëntor, që kontratat me bashkinë të jenë të ligjshme

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka shpjeguar sot në një takim me hotelierët e Durrësit se shtyrja e sezonit është bërë për të krijuar mundësinë që kontratat e lidhura me bashkitë që do jenë deri në 15 nëntor të jenë të ligjshme.

Ai gjithashtu tha se aplikimi për zhvillimin e aktivitetit turistik për hotelet ka nisur duke sqaruar se “për aplikimin mjafton numri i niptit, vërtetimi i pronësisë, deklarata ku shënohet sipërfaqja e hapësirës, numri i shezllonave, banjave, dusheve, bay watch etj. Caktohet numri i parcelës në hartën dixhitale. Foto të plazhit dhe foto të hotelit. Mjafton të ngarkohen këto dokumenta. Sistemi elektronikisht kthen përgjigje automatikisht nëse i keni dokumentet në rregull 2 ditë nga aplikimi, në mënyrë që të keni kohë për ti plotësuar dokumentet. Më pas i miraton komisioni i ngritur me përfaqësues nga Ministria e Turizmit dhe Shëndetësia. Pasi miratohet nga komisioni mund të kryeni pagesën sipas tarifave të vendosura nga Këshilli Bashkiak. Bëhet lidhja e kontratës me Bashkinë, baywatchet, bëhet vijëzimi dhe vazhdon puna”.

Ai tha se qeveria ndërmori një hap të guximshëm që hapi kufijtë tokësor dhe këtë e bëri për të shpëtuar turizmin shqiptar, për t'i dhënë frymë turizmit patriotik.

Për Durrësin nuk kemi më kërkim lejesh për pallate, por kemi Durrësin Turistik.

Reagimi

Shtyrjen e sezonit turistik nga ana e qeverisë, Kliton Gërxhani nga ATOA (Shoqata e Agjencive dhe Operatorëve Turistik) e komenton si marketing të lirë dhe të pakuptimtë.

“Ka patur një datë më parë për "çeljen e sezonit", por edhe kjo ishte për efekt marketimi të sezonit veror dhe jo një datë zyrtare kur mund të shkoje në plazh. Në plazh çdokush shkon dhe ndalon së shkuari kur të dojë dhe kur e lejon klima, dhe jo shteti. Nëse nëntori do të jetë me shira apo do detyrohemi të mbyllemi për shkak të virusit, nuk besoj se këtë gjë do ta rregullojë urdhri i ministrit për të bërë pushime deri në 15 nëntor. Nëse nuk do kemi probleme të tilla, njerëzit mund të lahen edhe në janar po deshën.”- thotë Gërxhani për gazetën “Si”.

Ministri, thotë Gërxhani,  mund të mos përcaktojë ato që janë punë të Zotit, por të ndihmojë ekonomikisht industrine e turizmit që të jetë gjallë deri në 15 nentor, nëse do të japë një kontribut real.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë