Lajme

Klima e biznesit, ja ku fokusohet pyetësori i ri

Si është mjedisi i biznesit në Shqipëri? Kjo pyetje që shqetëson përherë grupet e interesit është në focus të një pyetësori të ri të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Europiane e Investimeve dhe Grupit të Bankës Botërore.

Kompania Ipsos Albania është kontraktuar që brenda muajit dhjetor në të cilin jemi, do të bëjë mbledhjen e të dhënave dhe intervistat me kompanitë e përzgjedhura në mënyrë rastësore. Kjo punë do të vazhdojë deri në Maj 2019 dhe rezultatet paraprake të pyetësorit pritet të dalin në gjysmën e dytë të vitit 2019.

Seria e re e pyetësorëve për sipërmarrjet do të zhvillohet në më shumë së 40 ekonomi në botë. Objektivi i këtij pyetësori është të marrë informacion nga kompanitë në sektorin privat mbi mjedisin e biznesit në secilin nga vendet pjesëmarrëse dhe t’a përdorë këtë informacionin për të vlerësuar mundësitë dhe pengesat që ndikojnë në rritjen e sektorit privat. Në secilin nga vendet, pyetësori do të zhvillohet përmes intervistave me kompanitë private në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve.

Rezultatet nga pyetësori për sipërmarrjet së bashku me informacionin shtesë nga sondazhe të tjera të ngjashme në vende të tjera pjesëmarrëse do të jenë në thelb të punimit analitik të bazuar në fakte dhe mund të hedhin dritë mbi mënyrën sesi mund të promovohen investimet, produktiviteti dhe rritja ekonomike në këto vende.

Pyetësori është i ngjashëm me pyetësorë të tjerë për sipërmarrjet të Bankës Botërore të cilët po zhvillohen në të gjithë botën dhe kanë një metodologji standarte. Temat e përfshira në pyetësor- si produktiviteti, përshtatja e teknologjisë dhe inovacionit, konkurenca, kualifikimi i fuqisë punëtore, informaliteti, aksesi në shërbimet financiare, infrastruktura dhe ndikimi i shtetit si rregullator- do mund të jenë të krahasueshme në shkallë globale. Pyetësori do të përmbajë gjithashtu një modul mbi ekonominë e gjelbër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë