Biznes

Klasa gatimi për stafin dhe regjistrime në palestër… OKB u jep 70 udhëzime bizneseve në Shqipëri

Disa prej tyre mund të duken komplet jashtë kontekstit shqiptar dhe situatës së stafeve nëpër sipërmarrjet private, por Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka dhënë 70 udhëzime për bizneset në vend lidhur me shëndetin, mirëqenien dhe financimin. Sipas OKB-së, këto udhëzime do të lehtësojnë rrugën për plotësimin e objektivave për një zhvillim të qëndrueshëm në radhë të parë të vetë ndërmarrjeve.

Mbi shëndetin dhe mirëqenien, OKB sugjeron ofrimin e mundësisë për ushqyerje të shëndetshme në vendin e punës, me kuti ushqimesh vendase, me prodhime sezonale dhe porosi po nga bizneset vendase.

Ushqimi që ofrohet në vendin e punës duhet të përputhet me dietat dhe organizohen klasa gatimi për stafin, që të nxisni praktika më të shëndetshme të të ushqyerit dhe që përmirësojnë mirëqenien e përgjithshme.

OKB-ja udhëzon bizneset për të vënë mirëqenien në përparësi, ofrimin e regjistrimit në palestër dhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta.

“Ofroni financim të plotë ose të pjesshëm, në sigurimin shëndetësor ose dentar për stafin. Prezantoni kurse për mirëqenien financiare për stafin dhe jepini punonjësve pension ESG1 dhe opsionet për investime", thotë OKB.

Mbi barazinë dhe diversitetin, Organizata u sugjeron bizneseve të promovojnë barazinë gjinore dhe diversifikimin brenda vendit të punës. Mbështetje për kujdesin e fëmijëve, për të mbështetur familjet në sektorin. Nxitja e nismave për përfaqësimin e minoriteteve.

Gjithashtu OKB ka lëshuar udhëzimin dhe për strukturën fizike të vendit të punës, ku sugjeron praktikat efikase të ujit, furnizuesit e energjisë së gjelbër, përdorimin e automjeteve elektrike, izolimin e ndërtesës, audit për konsumin e energjisë dhe opsione më eficente të ndriçimit.

Një sugjerim i Organizatës së Kombeve është pagesa e stafit me një pagë që mundëson jetesën. Rimendimi i javës 40 orëshe të punës si dhe mundësia e punës në distancë dhe oraret fleksibël.

“Lejoni personelin të ndërmarrë studime të mëtejshme duke i ofruar orë fleksibël ose financim të plotë/të pjesshëm për kurset e trajnimit. Mbështesni përdorimin e hapësirave të përbashkëta lokale të punës, duke i mundësuar stafit të punojë atje ose ndihmoni bizneset duke ndarë dijet me ta në qendër. Ofroni trajnim punonjësve në mënyrë që ata të mësojnë teknologji dhe sisteme të reja. Prezantoni javën e punës me 4 ditë.”

Udhëzimet e OKB-së i japin rëndësi dhe inovacionit ku thuhet se bizneset duhet të ndërtojnë modele dhe teknologji të reja biznesi e të japin ekspertizën e tyre për start up-e.

Të zhvendosen funksionet e biznesit në rrjet me qëllim që të mund të aksesohet në mënyrë të sigurt dhe në distancë.

OKB udhëzon bizneset për bashkëpunim me Dhomat e Tregtisë, shoqatat dhe autoritetet lokale. Bashkëpunim për biznese të sigurta dhe të qëndrueshme. Të mbështetet transporti publik dhe infrastruktura për këmbësorët dhe çiklistët. Mbështetje e nismave pro produkteve vendas.

“Merrni parasysh mundësinë për të zhvendosur e biznesit tuaj/zyrat dytësore jashtë qyteteve, për të mbështetur ekonomitë lokale dhe për të përmirësuar zhvillimin rajonal. Nxisni punonjësit të përfshihen me komunitetet e tyre duke mbështetur punën vullnetare. Prezantoni programet e stazhit dhe praktikës për të futur grupe të margjinalizuara në sektorin tuaj të bizneset”, thotë OKB.

OKB sugjeron që bizneset të bëjnë mentorime në shkolla/institucione të arsimit profesional lidhur me rrugën drejt punësimit dhe të ofrojnë praktika me pagesë për të siguruar që kjo mundësi të jetë e arritshme për të gjithë.

Bizneset në Shqipëri sipas OKB-së duhet të bëjnë kujdes dhe me mjedisin, duke nxitur riciklimin dhe pakësimin e mbeturinave në të gjithë biznesin. Të gjejnë mënyra novatore për të ripërdorur materialet e mbetjeve nga biznesi juaj. Të përdorin paketime të ripërdorshme ose të biodegradueshme dhe jo materiale plastike.

“Sigurohuni që ka vend parkimi të disponueshme pranë vendit të punës. Sigurohuni që stafi të ketë mundësi të bëhet pjesë e programit të Qeverisë/Bashkisë “shko me biçikletë në punë. Shfrytëzoni mundësitë e financimit të gjelbër për t’u angazhuar më tej në agjendën e zhvillimit të qëndrueshëm. Shfrytëzoni hapësirat e lira të gjelbra për të rritur biodiversitetin, mbillni bimë miqësore ndaj bletëve ose krijoni një kopsht komunitar për stafin.”

Bizneset duhet t’i ofrojnë punonjësve transport falas ose mbulim të shpenzimeve të transportit të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë