Motosport

Klas, nerva dhe dy padronë si Vershtapen dhe Hemilton, një film premierë në Formula 1

Në dy javët e fundit ndeshja është rihapur dhe nuk kuptohet më nga anon peshorja. Mercedesi duket i rilindur, por holandezi i Red Bull-it mund të administrojë diçka më shumë në nivelin taktik.

Nëse do të përdornim gjuhën e kinemasë, gara e titullit në Formula 1 do të ishte një film që i ka të gjithë përbërësit për t’u bërë kampion të ardhurash. Dy protagonistë me talent të jashtëzakonshëm, befasi në gara, stërkëmbësha dhe përqafime, të mirë dhe të këqij (varet nga pikëpamja e tifozllëkut), deklarata me “helm”, tension gjithmonë e më të lartë dhe një finale kampionati që duket spektakolare.

Ljuis Hemilton feston fitoren ne Brazil. Gazeta Si, 22 nentor 2021

Në prag të dy garave të fundit të Botërorit, Maks Vershtapen komandon klasifikimin me 8 pikë avantazh ndaj Ljuis Hemilton. Në Brazil, pas garës sprint të së shtunës në Interlagos, diferenca ishte 21 pikë, por në dy javë “ndeshja” është hapur. Mercedesi, – të paktën ai i Hemiltonit, - po shkëlqen, por Vershtapen është mirë në nivelin taktik.

Në 15 vitet e fudnit të Formulës 1 vetëm tre Botërorë kanë qenë kaq dramatikë sportivisht. Ai i 2010-ës, që para garës ë fundit kishte 4 pilotë në luftë për titullin, që u fitua nga Sebastian Fetel me Red Bull. Ai i 2008-ës, i fituar nga Hemilton me MekLaren 4 kthesa nga fundi i kampionatit, me 1 pikë më shumë se Ferrari i Felipe Masës. Dhe ai i 12 muajve më pas, kur Kimi Raikonen përmbysi Hemiltonin në garën e fundit.

Por tre faktorë e bëjnë këtë kampionat të jetë një shkallë më lart këtyre tre Botërorëve që përmendëm. Niveli i dy pilotëve në garë për titullin: Vershtapen është sot në lartësinë e Hemiltonit dhe dy bëjnë pjesë në kategorinë e “talenteve absolutë”, ku emrat në historinë e Çmimeve të mëdha numërohen me gishtat e njërës dorë.

Vershtapen feston suksesin në Austri. Gazeta Si, 22 nentor 2021

Sforcoja e jashtëzakonshme teknike e prodhuar nga Red Bull-i dhe Mercedesi: zhvillimet e aerodinamikës dhe motorit gjatë vitit, kanë qenë të pabesueshme. Dhe në fund përfshirja në luftë e dy drejtuesve më të lartë të dy skuderive. Mes Kris Horner dhe Toto Volf, numrat 1 të skuderive, ka pasur akuza dhe ngacmime, luftë psikologjike, pasi çdo lloj presioni mund të ndikojë te rivali.

Nga dy garat e mbetura, njëra është Jedah, një cirkuit i panjohur si ai i Losail, tjetri është ai i Abu Dhabit. Zgjedhje teknike, strategji, nerva të forta dhe sa më pak gabime, nga këto gjëra do të vendoset Botërori. Sido që të shkojë, më 12 dhjetor do të jemi të gjithë dëshmitarë të një filmi që nuk është parë më përpara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë