Lajme

Kisha pro protestës, Dom Gjergj Meta: Mos u ndalni, mos pranoni t’jua vjedhin kauzën!

Protesta e studentëve kundër tarifave përpara ministrisë së Arsimit ka gjetur edhe mbështetjen e përfaqësuesve të klerit shqiptar. Ipeshvki i Dioqezës së Rrëshenit, dom Gjergj Meta me anë të një mesazhi ka përshëndetur protestën e studentëve.

“Rastësisht sot ju pashë në Tiranë duke protestuar. Ishit shumë. Të rinj e të freskët. Kushedi sa ëndrra keni në zemrat tuaja. Por, keni ndezur edhe te ne të rriturit dëshirën për të ëndërruar. Në fakt, ndenja disi anash, teksa ju shihja, sepse nuk doja të prishja atë dekor, sikurse jua prishin përfaqësuesit e politikës, sidomos asaj opozitare që duke mos pasur kauza vjedh kauzat tuaja. Ju jeni në fakt përgjigja më e mirë ndaj atyre që duan të ikin nga ky vend, sepse politika e qeverisë ua ka bërë t’u gërthitet ky vend. Ju jeni përgjigja më e mirë ndaj një grupimi opozitar pa mendim substancial, sidomos të atyre rioshave që janë plakur para kohe dhe ndaj një qeverisje pa vizion tërësor”, shprehet Gjergj Meta.   

Më tej në mesazhin e tij, imzot Gjergj Meta i bën thirrje studentëve që mos ua vjedhin kauzën apo t’ia blejnë. “Ju jeni përgjigja më e mirë ndaj ne të rriturve që mbetëm duke u kap’ nëpër studio televizive pa asnjë produkt. Faleminderit studentë! Jua di për nder që jeni dhe që ngrini zërin tuaj. Mos pranoni t’ju vjedhin kauzat apo t’ju blejnë. Forconi mendimin tuaj dhe shkojini deri në fund. Keni të drejtë derisa sa doni një të ardhme. Ju mund ta bëni ndryshimin. Lëreni politikën plakë në “shenjtninë” e saj. Mos u ndalni. E drejta juaj është e ardhmja e vendit tonë. Ju admiroj pafund!”, shprehet Ipevshki i Dioqezës së Burrelit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë